Balla: Berisha po mbron Bashën për milionat e vjedhura me të
Rruga Durrës-Kukës ka qenë sërish dje në vëmendje të opozitës, e cila nëpërmjet deputetit Taulant Balla ka deklaruar se Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm, Basha, kanë përfituar 230 milionë euro. Sipas deputetit Balla "nga tenderat e blerjes së energjisë elektrike, nga të cilat një pjesë e mirë janë kryer me sekserin serb, Fazliç, Sali Berisha ka përfituar 50 milionë euro, shifër kjo e konfirmuar nga vetë sekseri në fjalë". Për opozitën, Kryeministri Berisha ka përfituar gjatë këtyre viteve në pushtet rreth 100 milionë euro të tjera, të cilat janë marrë nga tenderat pas shitjes së pasurive shtetërore me një euro, nga biznesi i trafikut të armëve, nga i cili u shkaktua edhe Gërdeci, nga privatizimet e paracaktuara të pasurive shtetërore, nga 10 përqindëshi në të gjitha tenderat publikë, nga favorizimi i bizneseve të paligjshme në industrinë e lojërave të fatit. Për këto arsye është shprehur më tej Balla, "Sali Berisha po mundohet të bëjë presion, të kamuflojë politikisht dhe të përdorë zgjatimet e tij për të bllokuar hetimet, gjykimin dhe dënimin e bandës së tij". Sali Berisha, është shprehur deputetit socialist më tej, po mundohet të mbrojë me çdo kusht Lulzim Bashën, sepse bashkë me të kanë vjedhur 230 milionë euro. Gjithashtu, tha Balla, dje gjatë një konference për shtyp, Berisha po mundohet të mbrojë me çdo kusht sekserin serb, sepse bashkë me të dhe përmes tij ka vjedhur 50 milionë euro. "Sali Berisha po mundohet të mbrojë me çdo kusht Arben Sefgjinin, i akuzuar për rrëmbim dhe vrasje të një shqiptari nga Kosova. Për të mbrojtur këta sekserë dhe hajdutë, Sali Berisha është i gatshëm dhe po i hap luftë çdo institucioni të pavarur dhe demokratik në këtë vend, qoftë prokurorisë, gjykatës apo Presidentit", ka deklaruar Taulant Balla. Për selinë rozë, Shqipëria është i vetmi vend në botë që vazhdon të mbajë ministër të Jashtëm një të pandehur për vjedhje, një drejtor tatimesh i pandehur për rrëmbim dhe zhdukje personi, ministra apo ish-ministra në hetim për favorizim korrupsioni dhe trafiku armësh. Balla tha se "Lulzim Basha sot nuk ka imunitet kushtetues, por atij i ofrohet imunitet politik nga Sali Berisha. Sali Berisha dhe Lulzim Basha duhet të mbrojnë 380 milionë euro vjedhje dhe për të larë këto para, po mundohen të përdorin patriotizmin si detergjent dhe sekserë serbë si lavatriçe". Më shumë se interesi për rrugën, theksoi në fund deputeti i PS-së, për këta individë ka qenë etja për para.