E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Tiranës dënon punonjësin e KE-së

Gjykata e Tiranës ka dënuar një punonjës të Këshillit të Evropës, nën akuzën e "vjedhjes së pasurisë". Xhuzepe di Xhulio, sipas vendimit të gjykatës, u dënua me tre muaj burg, pasi u kap duke vjedhur një ekran kompjuteri. "I pandehuri është shtetas italian dhe ka ardhur në Shqipëri si punonjës i KE-së. Më datë 26 tetor 2008, në ambientet e një hoteli, në të cilin ishte vendosur për të fjetur gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, ka vjedhur monitorin e një kompjuteri në hollin e katit të dytë të këtij hoteli", thuhet në vendim. Sipas saj, gjatë hetimeve paraprake është bërë procesverbali i këqyrjes së vendimit të ngjarjes, procesverbal i sekuestrimit të provës materiale të një CD, në të cilën është identifikuar autori i veprës penale, i pandehuri Xhuzepe di Xhulio. "Janë marrë deklarimet e shtetasve Alket Maçolli, i cili deklaron se monitorin e kompjuterit e ka vjedhur i pandehuri. Edhe vetë i pandehuri, që në momentin e parë të ndalimit e ka pranuar autorësinë e vjedhjes së monitorit dhe shpjegon se i vjen turp për veprimin e kryer e është penduar për këtë veprim që ka bërë", shkruhet në vendim. Gjykata, pasi analizoi aktet e ndodhura në fashikullin e prokurorit, i cili në momentin e pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar u shndërrua në fashikull gjykimi, krijoi bindjen e saj të bazuar në këto akte dhe në ligj se i pandehuri ka konsumuar elementet e figurës së veprës penale të "vjedhjes". "I pandehuri, me veprimet e tij të kundërligjshme, ka cenuar marrëdhëniet juridike, të cilat janë vendosur për të mbrojtur pronën dhe pasurinë private nga veprimet, apo mosveprimet e kundërligjshme, marrëdhënie të cilat janë të mbrojtura posaçërisht nga ligji penal shqiptar", thuhet në vendimin e gjykatës, ku shtohet se i pandehuri i plotëson kërkesat e ligjit për të qenë subjekt i kësaj figure krimi, pasi ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm përpara ligjit. "Nga ana objektive, këtë figurë krimi i pandehuri e ka kryer me veprime aktive dhe me dashje direkte, ku si qëllim ka pasur përfitimin ekonomik. Në caktimin e llojit dhe masës së dënimit, gjykata vlerëson rrezikshmërinë shoqërore të pandehurit dhe veprës, përhapjen e madhe që ka kjo figurë krimi kohët e fundit. Si rrethana lehtësuese, gjykata vlerëson pendimin e thellë të të pandehurit dhe qëndrimin pohues që në fazën e hetimit paraprak, faktin që është i padënuar më parë, zëvendësimin e dëmit. Po ashtu, duke parë rrezikshmërinë e pakët shoqërore të të pandehurit dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, gjykata çmon se dënimi ndaj të pandehurit duhet pezulluar për një periudhë kohe prove prej dy vjetësh", arsyeton gjykata dhe përfundimisht vendos deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me tre muaj burgim. Por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, italianit i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me dy muaj burgim. Ndërsa gjykata e pezulloi dënimin, duke e vendosur të pandehurin në një periudhë prove prej dy vjetësh që të mos kryejë vjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›