E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët kursejnë 668 miliardë lekë në banka

Dy kanë qenë periudhat më të vështira për sistemin tonë bankar gjatë vitit 2008. Kur në muajin mars dhe më pas në maj, niveli i depozitave pësoi rënie me 8 miliardë lekë, u duk sikur lajmet për falimentim bankash nuk do t‘i merrnim më nga SHBA-ja, por nga vendi ynë. Në qershor e më tej, sistemi ynë financiar njohu vetëm rritje, paralelisht ndryshe me atë çka po ndodhte në botë. Gjithnjë e më shumë shqiptarët po i depozitonin kursimet e tyre në banka, në një kohë kur kriza financiare kishte përfshirë akoma e më shumë SHBA-në, madje kishte zbritur në Evropë. Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë flasin për një nivel depozitash në rang vendi prej rreth 668 miliardë lekë. Të dhënat i referohen fundit të muajit shtator 2008, në një kohë kur në muajin dhjetor totali i depozitave regjistroi një nivel kursimi në banka që kapte shifrën e rreth 602 miliardë lekë. Nga i gjithë totali i parave të vendosura në banka, rreth 370 miliardë lekë janë të depozituara me valutën vendase lek.

Sistemi

Bankat tona gjithnjë e më shumë e kanë zhvendosur konkurrencën e tyre në drejtim të rritjes së depozitave. Edhe pse konsiderohen humbje për bankën falë shpenzimeve për interesa që u japin klientëve, depozitat cilësohen mjeti kryesor që mundësojnë garancinë e likuiditetit për operacione të ndryshme financiare. Në një kohë kur kredia po kapte nivele rekord, falë konkurrencës së egër për të fituar, bankat po shikonin një reduktim të depozitave, të cilat në muajt mars dhe maj pësuan rënie të konsiderueshme. Banka e Shqipërisë kishte ndërhyrë tri herë në treg brenda një harku kohor 1-vjeçar, duke rritur normën bazë të interesit me 0,75 për qind, ndërsa bankat filluan që politikën monetare ta reflektonin edhe te depozitat. Kriza financiare po sillte falimentimin e një sërë institucionesh gjigante financiare, duke krijuar efekte negative domino. Pavarësisht kësaj, sistemi ynë financiar po vërente rritje të likuiditetit, deri në atë pikë ku në muajin shtator u regjistrua një nivel rekordi depozitash prej rreth 667 miliardë lekësh. Rritja e depozitave në total nuk reflektonte të njëjtën gjë për tregun e "depozitave pa afat", të cilat nga 18 miliardë lekë, në fund të muajit shtator u gjendën në më pak se 16 miliardë lekë.

Ritmi

Nga viti 2002, totali i depozitave të sistemit ka njohur vetëm rritje, përveç prirjes rënëse gjatë 2003-2004. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2007, totali i depozitave u rrit me rreth 104 miliardë lekë. Këtu pati një rritje më të madhe për depozitat me afat, me afro 88 miliardë lekë, ndërsa llogaritë rrjedhëse me 30 miliardë lekë. Sikurse vitit 2008, edhe gjatë 2007-s, depozitat pa afat pësuan rënie. Duke iu referuar raportit të agjencisë të sigurimit të depozitave, pjesa më e madhe e depozitave, rreth 82 për qind, u përket individëve, ndërsa pesha e depozitave nga sektori privat dhe ai shtetëror është përkatësisht, 14 për qind dhe 4 për qind. Analiza e ecurisë së depozitave sipas monedhës tregon për një prirje të theksuar të zhvendosjes nga depozita në lekë drejt depozitave në monedhë të huaj. Sistemi bankar shqiptar shfaq një shkallë të lartë të përqendrimit të depozitave, ku 4 bankat e mëdha zënë rreth 70 për qind të totalit të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›