E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Berisha uzurpon institucionet e pavarura

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Ushtarak, ishte emëruar prej ditësh në këtë pozicion, por lajmi u bë i ditur në fundjavë. Ky post mbahej deri më tani nga Xhevdet Zeneli.

Për emërimin e Zylës në krye të Policisë Ushtarake, reagoi sot edhe Partia Socialiste. Deputeti Taulant Balla, akuzoi Kryeministrin Berisha se po vendos nën komandën e tij institucione të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës. "Çdo ditë që po kalon shqiptarët po shohin se si Berisha po vendos nën komandën e tij institucione shumë të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës", tha deputeti Balla duke iu referuar shkarkimit të Bahri Shaqirit nga posti i drejtorit të SHISH, emërimit të Elvis Çefën si nënkryetar i KLD-së dhe emërimit të Ylli Zylës në krye të policisë ushtarake.  

Balla gjithashtu i kërkoi Kryeministrit Berisha të përgjigjet publikisht për lidhjet e tij me trafikun e armëve si dhe për të gjithë urdhrat e dhënë për blerjen dhe vënien në punë të pajisjeve të përgjimit në ministrinë e Mbrojtjes."Sot më shumë se kurrë Shqipërisë i nevojitet një rilindje kombëtare që do t`i kthejë institucioneve pavarësinë dhe qytetarëve një shtet ligjor të drejtë, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit", deklaroi Balla.
 
Dorëheqja e kreut të SHIU-t

Ylli Zyla është akuzuar shpesh nga opozita për afera me shitjen e armëve. Ai dha dorëheqjen nga pozicioni i kreut të Shërbimit Informativ të Ushtrisë për shkak të akuzave të bëra.  “Unë i nënshkruari, kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime në gazetën e përditshme ‘Shqiptarja.com’, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjike të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t’ju paraqes: dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak”, thuhej në tekstin e dorëheqjes.  /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-08-21 14:33
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›