Balla: Besën e pret vetëm humbja në Kukës
Nga ERJON SALIU
Drejtori teknik i kuksianëve, Sabri Balla, karikon skuadrën dhe beson se me kavajasit do të ketë fitore dhe spektakël. Rikthehet Thana
Qysh në ditët e para të kësaj jave, skuadra e Kukësit ka vijuar përgatitjet në qytetin verior, ku është grumbulluar. Trajneri Shahin Berberi e ka të gjithë ekuipazhin në dispozicion dhe është i bindur se pas humbjes në Burrel të tijtë do të reflektojnë qysh në ndeshjen e radhës me Besën në shtëpi. Kuksianët janë të bindur se këtë javë do të fitojnë, madje nuk e kanë frikë Besën, edhe pse është një rival që synon ngjitjen në superiore.
Në një prononcim për Sportin shqiptar, drejtori teknik i kuksianëve, Sabri Balla, ka pohuar: Humbjen me Burrelin e kemi harruar, edhe pse vendasit nuk na respektuan siç i pritëm ne në fazën e parë. Gjithsesi, pësimet duhet ti bëjmë mësime, qysh prej të hënës ne jemi përqendruar te një tjetër ndeshje shumë e rëndësishme ajo me Besën që luajmë në shtëpi.
Do të hyjmë në fushë qysh në sekondën e parë për të fituar, pavarësisht se kemi përballë një skuadër me traditë të kampionatit shqiptar. Në Kukës nuk diskutojmë asnjë ekip. Stërvitja ka vijuar normalisht, të gjithë lojtarët kanë një angazhim maksimal dhe e kuptojnë rëndësinë e kësaj sfide, kështu që të gjithë jemi mprehur për fitore.
Nga ana e trajnerit Shahin Berberi të gjithë lojtarëve u është kërkuar që të vlerësojnë çdo seancë, kështu që ne kemi besim të plotë se me Besën do të rikthehemi te fitorja, – tha drejtori teknik Sabri Balla. Kukësi deri më tani ka pësuar vetëm tri humbje, konkretisht në transfertë me Butrintin, Elbasanin dhe Burrelin.
Tifozët Pritet që në përballjen me kavajasit, duke parë edhe rëndësinë e sfidës, të ketë një numër të madh tifozësh kuksianë, që nuk kanë munguar edhe në transfertën me Burrelin. Drejtori teknik Sabri Balla i falënderon për mbështetjen dhe u bën thirrje që të mos i ndahen ekipit edhe në sfidën me Besën.
Duke qenë se është një ndeshje shumë e rëndësishme, ftoj të gjithë sportëdashësit kuksianë që të jenë sa më të shumtë në mbështetje të skuadrës. Ne u ndihemi borxhlinj, sepse ata na kanë mbështetur, madje deri në Gjirokastër, edhe pse nuk u zhvillua ndeshja.
Ata të mos demoralizohen nga humbja në Burrel, sepse Kukësi në fundjavë premton fitore me lojë bindëse, por edhe spektakël, – tha në fund të fjalës së tij drejtori teknik i kuksianëve, Balla. Ndërkohë, Kukësit do ti mungojë vetëm mbrojtësi Berberi, i pezulluar ndaj Besës, kurse Thana ka lënë pas dëmtimin dhe është gati.