Dosti: Besëlidhja, fitorja e radhës për Elbasanin
Verdheblutë duken mjaft të motivuar para sfidës me lezhjanët, ku synojnë të marrin fitoren e tretë radhazi për fazën e dytë
Elbasani ka përpara provën e vazhdimësisë dhe të gjithë lojtarët janë të angazuar për të arritur fitoren e tretë radhazi në ndeshjen me Besëlidhjen. Kundërshtari është nga më të fortët, por fakti që luhet në stadiumin Ruzhdi Bizhuta sjell optimizëm të madh në skuadrën verdheblu për të shtuar edhe 3 pikë në tabelën e renditjes. Verdheblutë janë mjaft të karikuar për këtë 90-minutësh, sepse dihet që ndaj një rivali direkt fitorja vlen 6 pikë.
Dosti Numri 2 i stolit elbasanas, Muharrem Dosti, thekson mes të tjerash për Sportin shqiptar se Elbasani nuk ka rrugë tjetër veç fitores me Besëlidhjen. Ai sheh ngritje në lojën e verdhebluve dhe beson se edhe ndaj lezhjanëve do të jetë një ndeshje pozitive në çdo drejtim: E kemi shumë të qartë se Besëlidhja nuk është një skuadër e lehtë për tu mundur, sepse, në fund të fundit, është pretendente për superligën.
Megjithatë, Elbasani është i motivuar për të ecur në vazhdën e fitoreve dhe nuk mendon asnjë rezultat tjetër për këtë ndeshje. Edhe barazimi do të ishte fatal për ne, pasi luajmë në fushën tonë dhe nuk mund ti falim pikë një rivali. Gara është bërë shumë e vështirë, prandaj duam të vazhdojmë siç e kemi nisur fazën e dytë.
Ne si skuadër do të bëjmë të pamundurën për të fituar me Besëlidhjen, por edhe me kundërshtarët e tjerë. Çdo ndeshje e mbetur për ne vlen 3 pikë dhe jemi të vetëdijshëm se duhet të luftojmë fort për tI marrë ato. Deri në fund të kampionatit është një rrugë e gjatë, ku mendoj se Elbasani do të lërë shenjën e tij dhe do ta arrijë objektivin, falë kualitetit dhe përvojës që kanë futbollistët e tij, ka theksuar Muharrem Dosti, ndihmëstrajneri i Elbasanit.
