E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulku u thotë gjeorgjianëve: Gjyqtari ishte i njëanshëm

 Nga ILIR CARA

Kapiteni i kuqezinjve në miqësoren me Gjeorgjinë, mesfushori Ervin Bulku, i ka pohuar medias gjeorgjiane se rezultat i drejtë ishte ai i pjesës së parë

Pas përfundimit të ndeshjes miqësore, ku Shqipëri u mund 2-1 në Tbilisi nga Gjeorgjia, kapiteni i kuqezinjve, Ervin Bulku, për mediat shqiptare pohoi se nuk dëshiron të merret me gjykimin. Por dufin që kishte për gjyqtarin moldav, Genadi Sidenko, mesfushori kuqezi, që luan në Azerbajxhan me Azalin, ia ka shprehur medias gjeorgjiane.

Në këtë prononcim për mediat gjeorgjiane Ervin Bulku ka pohuar se gjyqtari ishte i njëanshëm. Në këtë takim Shqipëria u prezantua me disa fytyra të reja dhe ishte hara e parë që lojtarët  e grumbulluar takoheshin me njëri-tjetrin. Gjithsesi, për kapitenin Bulku të rinjtë u prezantuan mirë dhe treguan se kanë të ardhme.

Ervin, si e vlerësoni miqësoren Gjeorgji-Shqipëri?

Ndeshja ishte shumë e vështirë. Ishte hera e parë për mua dhe disa lojtarë të tjerë të ekipit që takoheshim me disa shokë të rinj, të cilët luajtën shumë mirë. Në pjesën e parë i zbatuam si duhet udhëzimet e trajnerit. Në gjysmën e dytë të lojës ishit ju më superiorë, por sipas mendimit tim, rezultat logjik i kësaj miqësoreje do të ishte ai pjesës së parë,1-0.

Pse protestuat te gjyqtari?

Protestuam sepse në rastin e golit të dytë, që erdhi nga ekzekutimi i 11-metërshit të dytë, futbollistët gjeorgjianë e kanë prekur topin me dorë. Kjo shihet qartë, por gjyqtari vendosi të mos e ndalojë lojën. Në përgjithësi, gjykimi ishte i tmerrshëm. Penalltia e parë kundër nesh ishte e padrejtë.

Por ju kundërshtuat edhe penalltinë e dytë?

Dënimi në këtë rast, e përsëris, ishte i padrejtë. Mbrojtësi ynë vërtet mund ta ketë shtyrë kundërshtarin, por arbitri mezi priste të vërshëllente, çka tregon se ishte i njëanshëm në atë ndeshje.

Në përgjithësi, si e vlerësoni lojën e skuadrës gjeorgjiane?

Keni një kombëtare të mirë, me lojtarë shumë të shpejtë dhe të rrezikshëm në veprimet sulmuese. Edhe Gjeorgjia, ashtu si Shqipëria, ka një ekip të ri dhe premtues.

Cilin lojtar të Gjeorgjisë do të veçonit në miqësoren e së mërkurës?

Shumë lojtarë më pëlqyen, por nuk ua di mbiemrat. Sidoqoftë, Sandro Kobakhidze më la një përshtypje shumë të mirë. E njoh atë, sepse kemi luajtur bashkë te Krivbasi. Sandro ishte rritur vërtet shumë si futbollist pas largimit tim nga Ukraina

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›