E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: “Deklarata e Parlamentit Europian dhe e Kuvendit në të njëjtën linjë me PS-në për kartat”



Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratës së përbashkët ndërmjet dy delegacioneve të Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë në të cilën thuhej se lidhur me procesin e
pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti “avantazhe të tjera financiare duhet të propozohen për qytetarët që i përkasin kategorive të paavantazhuara dhe vulnerabile”. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se kjo deklaratë është në të njëjtën linjë me qëndrimet e Partisë Socialiste. “Kuptohet qartë që kjo deklaratë është në linjë me propozimin e Partisë Socialiste për avantazhimin e atyre kategorive sociale pa pasaportë ku pjesa më e madhe e tyre janë pikërisht shtresat e varfëra të popullsisë dhe sigurisht kjo mund të realizohet përmes shpërndarjes falas për këto kategori të kartave të identitetit para datës 28 qershor 2009”, - tha Balla.

Meta: “Prej kohësh kemi kërkuar shpërndarjen falas të kartave për shtresat në nevojë”

Lidhur me deklaratën e përbashkët të dy delegacioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se LSI-ja prej kohësh ka kërkuar shpërndarjen falas të kartave për qytetarët që janë në gjendje të vështirë financiare. Meta tha se është shumë e rëndësishme arritja e konsensusit të palëve për çështjen e kartave. “Ne e kemi shprehur prej muajsh këtë ide. Është e rëndësishme që çdo ide dhe propozim të gjejë konsensus sa më të gjerë. Njëkohësisht ne, pas takimeve që kemi zhvilluar edhe me ODIHR-in, presim edhe një mendim apo sugjerim të tyre lidhur me çështjen e kartave të identitetit dhe pavarësisht nga kjo unë mendoj se ne duhet të kërkojmë nga të gjithë qytetarët shqiptarë që të angazhohen për të aplikuar në kohë dhe për t’u pajisur me karta identiteti sa më shpejt, para zgjedhjeve, pasi natyrisht ky është një proces që duhet të përparojë”, - tha Meta. Kreu i LSI-së tha se pavarësisht se ka pasaportë diplomatike, ai do të aplikojë ditën e hënë për kartë identiteti për t’i ftuar të gjithë shqiptarët që të bëhen pjesë e procesit të aplikimit.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›