Balla: “Familjarëve të Berishës dhe të ministrave po u dhurohen tokat në bregdet”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka denoncuar nismën më të fundit të qeverisë për të miratuar projektligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin”. Deputeti socialist Taulant Balla deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se ky projektligj është bërë enkas në mënyrë që familjarë të kryeministrit Berisha si dhe të ministrave të qeverisë të përfitojnë tokat në bregdet. Balla kërkoi nga kryeministrit Berisha që të japë shpjegime në lidhje me këtë çështje, Ai i caktoi një afat 24 orësh shefit të qeverisë që të publikojë emrat e familjarëve të tij dhe të ministrave që përfitojnë nga ky projektligj, ndërkohë që theksoi se në rast të kundërt publikimi do të bëhet nga Partia Socialiste. “Ne kërkojmë që deri ditën e nesërme, qeveria të publikojë listën e familjarëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë që përfitojnë nga ky ligj i posaçëm që privatizon përfundimisht bregdetin shqiptar. Në rast se Sali Berisha nuk do të sqarojë për qytetarët shqiptarë se kush janë përfituesit familjarë dhe qeveritarë të këtij ligji, atëherë nesër ne do të zbardhim para qytetarëve shqiptarë kush janë interesat që qëndrojnë pas këtij projektligji”, - tha Balla.
Projektligji
Duke folur për projektligjin e propozuar Kuvendit nga ana e qeverisë, deputeti socialist Taulant Balla tha se Partia Socialiste ka dyshime të forta se përfituesit kryesor të këtij projektligji janë të afërm të kryeministrit Berisha dhe të ministrave të tij. Për këtë arsye, deputeti socialist kërkoi nga kryeministri që të zbardhë publikisht autorët, përfituesit dhe personat që favorizohen nga ky projektligj. “Qeveria e interesave familjare i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë projektligjin ‘Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror, në zonat me përparësi turizmin’. Partia Socialiste i kërkon sot Sali Berishës të zbardhë publikisht autorësinë, kush janë përfituesit apo kush favorizohen nga ky ligj. Ne kemi dyshimet tona që ky projektligj bëhet në favor të interesave familjare të tij dhe të ministrave të oborrit”, - tha Balla, i cili i la 24 orë afat Berishës për të plotësuar këtë kërkesë. Ndërkohë që nuk ka pasur ende një reagim nga kryeministri Berisha, socialistët pritet të publikojnë sot listën e personave që përfitojnë nga ky projektligj.
Gjiri i Lalzit
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Balla kërkoi nga kryeministri Berisha që të sqarojë opinionin publik në lidhje me disa vendime të miratuara nga KRRTRSH-ja për ndërtimet në Gjirin e Lalzit. “Gjithashtu, Sali Berisha duhet të sqarojë para qytetarëve shqiptarë se pse në muajin korrik menjëherë pas zgjedhjeve miratoi në KRRTRSH studime pjesore për ndërtime në Gjirin e Lalzit, ndërsa tashmë po miraton një ligj që këto toka t’u shiten atyre që po ndërtojnë apo kanë ndërtuar mbi to. Qytetarët shqiptarë duan shpjegime se pse kur është fjala për prona dhe para, qeveria bën ligje mbi vendimin e gjykatave, apo ligje që anulojnë gjobat”, - deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Minxhozi: “Qeveria, trajtim të papërgjegjshëm të prekurve nga tërmeti në verilindje të Shqipërisë”
Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin për situatën e vështirë që ende vijojnë të përjetojnë banorët e rrethit të Dibrës, të prekur nga tërmeti i rëndë i një muaji më parë. Deputeti socialist Qemal Minxhozi tha se mbi 1000 banorë vijojnë të jenë të pastrehë, ndërkohë që akuzoi qeverinë se po sillet me banorët në mënyrë të papërgjegjshme. “Në një moment që qeveria shqiptare vazhdon të flasë për heqjen e shpejtë të vizave, hyrjen e afërt në BE, mbi 1000 banorë të Gjoricës, Shupenzës, Maqellarës, vuajnë që prej 6 shtatorit në qiell të hapur dhe pa një strehë mbi krye. Mbi 1000 banorë vazhdojnë të mbeten pa strehë, duke kaluar vjeshtën dhe me sa duket edhe dimrin jashtë në njërën prej zonave më të ftohta të Shqipërisë. Trajtimin që qeveria aktuale i ka bërë tërmetit, është një shembull i qartë i papërgjegjshmërisë, dhe sensibilitetit të ulët të organeve përgjegjëse të shtetit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e tërmetit, rindërtimin e shtëpive, heqjen e banorëve nga çadrat në qiell të hapur dhe rikthimin e normalitetit në të gjithë zonën. Deri tani asnjë nga shtëpitë e dëmtuara rëndë nuk është riparuar, ndërkohë që ka pasur një diskriminim në shpërndarjen e fondeve për riparimin e shtëpive të dëmtuara. Një pjesë e tyre kanë marrë vetëm paratë e gëlqeres për lyerjen e shtëpive, sepse është paradoksale që të mendosh që një shtëpi mund të riparohet me 5 mijë lekë të rinj”, - tha Minxhozi. Sipas tij, rreth 20% e të dëmtuarve nuk kanë marrë ende asnjë qindarkë nga shteti, ndërkohë që deputeti socialist tha se nuk mungojnë zërat për abuzimet me fondet nga qeveria. “Flitet nga banorët jo thjesht për mungesë transparence, por për korrupsion në shpërndarjen e këtyre fondeve. Janë disa persona që kanë marrë shuma deri në 100 mijë lekë të reja, ndërkohë që dëmtimet kanë qenë të papërfillshme. Janë lënë në harresë të plotë premtimet e kryeministrit dhe ministrave për këtë dramë të heshtur që konsumohet përditë në sytë tanë”, - tha Minxhozi.
28 Tetor 2009