Zgjedhjet ne PD, largohet nga Kryesia "garda e vjeter"
Partia Demokristiane ka depozituar dje prova të reja në Prokurorinë e Përgjithshme për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në kallëzimin penal, kryetari i PDK-së ka akuzuar 12 komisionerë të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste të qarkut të Shkodrës. Sipas Ndokës, komisionerët në fjalë kanë shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumentet dhe rezultatin e zgjedhjeve që ka ndikuar drejtpërsëdrejti në humbjen e një mandati deputeti të PDK-së në këtë qark. “PDK-ja kërkon fillimin e procedimit penal kundër shtetasve Neritan Enver Kalatushi, Zamir Kozmaj, Esmeralda Elezi, Vilson Molla, Jetmira Kozmaj, Shpëtim Turkaj, Erfit Dushku, Leart Xhafer Spahia, Vitore Gjoka, Tonet Muça, Lindita Grapaj, Helidon Selim Sokoli me banim në Shkodër, për kryerjen e krimeve të shpërdorimit të detyrës, të falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 25, 248, 326 të Kodit Penal”, - shkruhet në kallëzimin penal.
Provat
Në dokumentin e paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme, Partia Demokristiane ka paraqitur provat që implikojnë komisionerët e lartpërmendur në manipulimin e procesit zgjedhor. “Në datën 28.06.2009 të kallëzuarit kanë ndërmarrë kryerjen e një veprimtarie të mirëfilltë kriminale. Nga ana e të kallëzuarve, anëtarë të grupit të numërimit të votave, janë përpiluar tabelat e rezultateve të qendrave përkatëse të votimit. Sipas këtyre tabelave ka rezultuar që Partia Demokratike të ketë marrë numrin maksimal të votave dhe Partia Demokristiane të ketë marrë zero vota”, - shkruhet në kallëzim. Më tej vihet në dukje se nga procesi i rinumërimit është parë se PDK-ja ka pasur vota në kutitë e votimit ndryshe nga sa është shënuar në procesverbal. “Nga verifikimet e kryera në dokumentacionin zyrtar dhe nga rinumërimi i votave ka rezultuar që shifrat e deklaruara në procesverbal janë të manipuluara. Konkretisht, janë shkruar 138 vota më tepër për Partinë Demokratike dhe 22 vota më pak për PDK-në. Verifikime të mëtejshme, të kryera nga përfaqësues të PDK-së, kanë vërtetuar përkundrejt dokumentacionit të saktë ligjor shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve”, - shkruhet në kallëzimin penal të PDK-së. Komisionerët e paditur nga Partia Demokristiane do të hetohen më tej nga Prokuroria e Përgjithshme për akuzat e shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim, e parashikuar si krim nga nenet 248, 25 të Kodit Penal, si dhe për falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve, i kryer në bashkëpunim, i parashikuar si krim nga nenet 25 dhe 326 të Kodit Penal.
Kërkesa
Në padinë penale për komisionerët, Partia Demokristiane kërkon hetime të mëtejshme, pasi, sipas saj, persona të tjerë janë të implikuar në procesin e manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Në rrethanat e përshkruara gjenden elemente të shkeljeve të rënda të ligjit penal. Këto elemente janë shpërdorimi i detyrës dhe falsifikimi i dokumentacionit zgjedhor, paraqitja e të dhënave të rreme për të realizuar interesa që i kundërvihen moralit shoqëror dhe marrëdhënieve në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Rrethanat e përshkruara përbëjnë fakt të kundërligjshëm dhe cenim të marrëdhënieve të mbrojtura nga Kodi Penal, duke përfaqësuar dhe shkakun e kallëzimit. Kundërligjshmëria e faktit dhe cenimi i së drejtës parashikohen si bazë ligjore e kallëzimit, në nenet 25, 248, 326 të Kodit Penal. Të kallëzuarit i kanë konsumuar veprat penale në bashkëpunim. Hetimi i mëtejshëm i çështjes do të dallojë dhe do të vërtetojë pjesëmarrjen ose jo të subjekteve të tjera në kryerjen e krimeve të përmendura, objekt i kallëzimit. Për vërtetimin e fakteve të parashtruara kërkojmë nga organi i ndjekjes penale bllokimin e menjëhershëm të të gjithë dokumentacionit, si dhe marrjen e provave orale dhe shkresore”, - shkruhet në padinë penale që kreu i PDK-së, Ndoka, ka bërë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Reporteri i OSBE-së, Miesch: Bojkoti nuk sjell zgjidhje të situatës
Reporteri i OSBE-së, deputeti zviceran Kristian Miesch, u shpreh dje gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se bojkoti nuk sjell zgjedhje të situatës. Duke iu referuar zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri, reporteri u shpreh se zgjedhjet shënuan progres dhe realizuan shumicën e angazhimeve të OSBE-së, por, sipas tij, ato shfaqën probleme teknike. Më tej Miesch u shpreh se edhe në Zvicër zgjedhjet nuk kalojnë asnjëherë pa probleme teknike, duke e zbutur deklaratën e tij. Duke falënderuar gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë për punën e tyre të jashtëzakonshme gjatë zgjedhjeve, kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë se synimi për arritjen e standardeve zgjedhore u realizua. Ajo tha se i gjithë kuadri zgjedhor, përfshirë Kodin, ndërtimin e KQZ-së, regjistrin e zgjedhësve, kartat e identitetit, transparencën në numërim ishin standarde të arritura për herë të parë në Shqipëri e që bënë që këto zgjedhje të ishin më të mirat e realizuara ndonjëherë. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi raportin e fundit të përfaqësuesit të OSBE-së Bosh, ku theksohej se “zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, përsa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore”. Duke u ndalur në situatën aktuale politike, kryetarja e Kuvendit nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në Parlament, ku, siç theksoi ajo, është vendi i dialogut dhe i kompromiseve. Kryetarja e Kuvendit tha se shumë reforma të rëndësishme, veçanërisht përsa i përket sistemit të Drejtësisë dhe ligjeve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, kërkojnë praninë e opozitës, ndaj dhe ftesa që deputetët të vijnë në Parlament është gjithnjë e hapur.
28 Tetor 2009