E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: “Krizat kapërcehen me dialog dhe takime mes palëve”



Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, e ka quajtur mjaft inkurajues gjestin e shkëmbimit të duarve midis dy ish-aleatëve të vjetër dhe sot kundërshtarëve të ashpër, Ilir Meta dhe Edi Rama. Bosh tha se është shumë i rëndësishëm fakti që Rama dhe Meta ulen së bashku në të njëjtën tryezë. Ambasadori i OSBE-së theksoi gjithashtu se vështirësitë e momentit mund të kapërcehen më së miri në rast se palët ulen në tryeza të përbashkëta. “Mendoj se kjo ishte një iniciativë shumë e mirë. Të flasësh me njëri-tjetrin është gjithnjë shumë mirë, veçanërisht në këtë rastin kur bëhet fjalë për dialogun ndërfetar. Por edhe për dialogun politik mund të ndiqet i njëjti shembull. Fakti që zoti Meta dhe zoti Rama u ulën në një tryezë, është një hap i parë shumë i rëndësishëm. Por, do të ishte akoma më mirë që të kishte të tjera tryeza të rrumbullakëta si kjo për të kapërcyer vështirësitë e momentit”, - tha Bosh.

Topi: “Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është për t’u marrë shembull”

Gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare “Sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut”, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi harmoninë dhe mirëkuptimin fetar midis tri besimeve në Shqipëri. Topi tha se Shqipëria është një model për t’u marrë shembull në këtë drejtim. “Është me domethënie organizimi i kësaj konference në Shqipëri. Ne të gjithë jemi krenarë për harmoninë e shkëlqyer që ekziston ndërmjet bashkësive fetare në vendin tonë, vend në të cilin brenda një kohe të shkurtër janë realizuar disa takime që evidentojnë në mënyrë të qartë këtë frymë. Ndërtimi dhe funksionimi i Këshillit Ndërfetar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të nderuar të komuniteteve fetare e tregon dhe e dëshmon këtë gjë në mënyrë shumë elokuente. Tri fetë që mbizotërojnë në Shqipëri janë si tri mure të së njëjtës ngrehinë shpirtërore, ku të gjithë janë njësoj të ligjshëm e njësoj të barabartë, ku liria e besimit, besimi i tjetrit, laiciteti, agnosticiteti është i shenjtë, i pacenueshëm, i mbrojtur mbi të gjitha nga shpirti i shqiptarëve e i garantuar nga Kushtetuta e vendit. Kam kënaqësi të sugjeroj modelin shqiptar, si një vlerë për t’u marrë në konsideratë, si një përgjigje për shumë nga pyetjet, që vetë shtrova në fjalën time. Të shohin nga Shqipëria të gjithë ata që pesha e së kaluarës i bën që të jenë refraktarë ndaj harmonisë, dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar si dhe ato vende, ku nga lëvizjet migratore, krijohen realitete dhe prezenca të ndryshme nga ato të vendit. Studimi i arealit fetar shqiptar është një shans dhe zgjidhje njëkohësisht për bashkekzistencën fetare. Historia na ka vënë në krah apo përballë njëri-tjetrit, pra përjetësisht jemi të ‘dënuar’ të rrimë kështu, dhe jam i bindur që të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe e harmoni. Për këtë duhen mbështetur pa kushte punëtorët e dialogut, këta qytetarë të progresit”, - tha Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›