Marrëveshja me Greqinë, Basha: “Nuk i kemi falur territor Greqisë, do të ishte marrëzi nëse e bënim”
Ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, sot në detyrën e ministrit të Brendshëm, i cili ka qenë firmëtar i Marrëveshjes së Ministrisë së Jashtme me Greqinë, deklaroi në emisionin “Kontrast” se Shqipëria nuk ka humbur asnjë metër katror nga kjo marrëveshje. Sipas Bashës, do të ishte marrëzi nëse Shqipëria do t’i falte territor Greqisë.
“Do të ishte një marrëzi përtej çdo idiotësie që mund të ketë parë ky vend në këto 70 vjet apo 80 vjet që të mendohet se ekspertët e shtetit shqiptar do të angazhoheshin në një negociatë njëvjeçare, përfundimi i së cilës do të ishte falja, qoftë edhe i një metri katror hapësirë detare, ujore, ajrore apo tokësore e territorit të Republikës”, - tha Basha.
Pyetjes se nëse kemi humbur hapësirë ujore, sikurse pretendojnë kundërshtarët e Marrëveshjes, ministri iu përgjigj: “Ky është një konstatim absolutisht absurd dhe për të qenë i mëshirshëm, po e quaj donkishotesk. Shqipëria nuk ka lëshuar asnjë centimetër katror. Shqipëria nuk ka lëshuar asnjë fije nga interesat e veta kombëtare. Kjo marrëveshje është në interesin kombëtar të Shqipërisë, sepse për herë të parë i hap rrugë Shqipërisë të eksplorojë në mënyrë të plotë, të ligjshme, të gjithë hapësirën detare në territorin e delimituar. Marrëveshja është thellësisht legjitime. Është hartuar në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme dhe çdo kontestim i bërë ndaj kësaj marrëveshjeje është spekulativ, donkishotesk dhe në thelb antishqiptar”, - u shpreh Basha. Pretendimeve të kundërshtarëve të Marrëveshjes, sipas të cilëve, arsyet e përcaktimit të kufirit lidhen me gazsjellësin rus “South Stream”, Basha iu përgjigj: “E njëjta palë që pretendon dhe spekulon për këtë punë, tregon një hartë që qartësisht gazsjellësin apo naftësjellësin e kalon në pjesën jugore të Korfuzit, që s’ka të bëjë fare me Marrëveshjen”. I pyetur se çfarë do të ndodhë me Marrëveshjen apo marrëdhënien mes Tiranës dhe Athinës nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë ankimimit të opozitës, ministri tha se “është e parakohshme të spekulojmë dhe se duhet të presim që Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e vet”.
I pyetur për kërkesën e opozitës, e cila kërkon sërish imunitetin e tij, Basha tha se gjykata e ka dhënë fjalën e saj. “Më duhet të theksoj që personalisht, ashtu si çdo anëtar tjetër i maxhorancës, unë i mbetem vendimit tonë politik për të hequr imunitetin sa herë ai kërkohet”, - tha ministri.
28 Tetor 2009