E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla-Gjana përplasen për dëmshpërblimin

 

Deputeti socialist, Taulant Balla ka deklaruar se, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, mashtron në lidhje me shifrat e dhëna për dëmtimet e krijuara nga fara e misrit. "Të dhënat e publikuara nga ministri i Bujqësisë janë të pavërteta pasi harta e zonave të prekura nga ky fenomen është shumë më e lartë. Skandali ka prekur edhe zonën elektorale të ministrit Gjana, si edhe Qarkun e Elbasanit, Beratit, Dibrës, Tiranës dhe Korçës", u shpreh Balla. Sipas tij, "qeveria duhet të dëmshpërblejë qytetarët. Le t'ia marrë firmës 'Agro-Blend' dhe të dëmshpërblejë të dëmtuarit në një më një. Shteti është i detyruar që të dëmshpërblejë qytetarët për këtë katastrofë. Pasi neni 44 i Kushtetutës e detyron qeverinë". Por ministri Gjana gjatë replikimit të tij, kërkoi që socialistët të mos e përdorin politikisht një gjë të tillë. "Aktualisht janë vetëm 145 hektarë të prekura nga problemi i misrit pa kokrra. Unë kam përgjegjësinë shtetërore në deklarimet e shifrave të mia dhe nuk kam asnjë urdhër politik. Çfarë doni të politizoni më shumë se kaq, doni të mbani kallirin në dorë, mbajeni. Ne po monitorojmë situatën dhe fermerët e prekur do të dëmshpërblehen", u shpreh Gjana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›