E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ligji i ri, kërcënim për Akuzën

Prokurorja e Përgji-thshme, Ina Rama, paralajmëron se projektligji mbi funksionimin e Prokurorisë mund të çohet në Gjykatën Kushtetuese, nëse ai miratohet në Parlament pa marrë parasysh mendimin e organit të akuzës. 

SOKOL BALLA

Në një intervistë për "Top Story" të Sokol Ballës në "Top Channel" kryeprokurorja flet edhe për hetimet mbi ngjarjen e Gërdecit, ngjashmërinë e saj me çështjen e trafikut të armëve, si dhe ndryshimet kushtetuese të 21 prillit.
Në çfarë pike janë hetimet për ngjarjen e Gërdecit, në fillim, në mes apo në fund?
Besoj që kanë kaluar mesin për sa i përket veprimeve hetimore që ne me një plan hetimor kishim vendosur të kryenim. Sigurisht që hetimi del përtej këtij plani, sepse konstaton fakte të reja që duhet t'i risqarosh, por mendoj që pjesa më e madhe që mund të kryheshin nga Prokuroria është kryer. Jemi në pritje të përgjigjeve që do na vijnë nga homologët amerikanë dhe ato të Qipros në lidhje me ato kërkesa që ne kemi parashtruar.
A ka pika të përbashkëta që lidhin hetimet për Gërdecin me ato të tregtisë së municioneve drejt Afganistanit?
Këto janë dy ngjarje të ndryshme, por e përbashkëta e këtyre ngjarjeve është që kanë personazhe të njëjtë. Kemi konstatuar një element të përbashkët që lidhet me një nga personat që është i arrestuar dhe është i pandehuri Dritan Minxolli, i cili nga hetimet në lidhje me tregtinë e armëve me AEY, rezulton të jetë ai personi që ka bërë paketimin e fishekëve në Rinas me largimin e Kosta Trebickës nga ky proces.
Rrjeti i hetimeve mund të përfshijë edhe të afërm të zyrtarëve të lartë. A do të thirret nëse është nevoja edhe djali i kryeministrit në hetime, apo për t'u pyetur, i cili në fakt është përmendur në këto biseda të përgjuara që ju i keni në dorë?
Unë nuk do të doja të individualizoja persona në këtë pyetje. Gjithkush që do të rezultojë që ka dijeni për fakte dhe ngjarje që lidhen me hetimin, dhe për të cilin do të lindë nevoja që të deklarojë para organit të akuzës, sigurisht që do të thirret para tij, kushdo qoftë ai.
A është thirrur për t'u pyetur lidhur me këtë çështje edhe djali i kryeministrit?
Jo, nuk është thirrur.
Si i përjetuat ndryshimet kushtetuese, si juriste e spikatur dhe si kryeprokurore?
Ndryshimet kushtetuese që lidhen me Prokurorinë konsistuan në faktin që prokurorit të Përgjithshëm i përcaktohet mandat dhe në ndryshim të nocionit nga informim në Kuvend që kryeprokurori bënte sipas Kushtetutës së mëparshme, në raportim të Kuvendit që është një procedurë e ndryshme parlamentare, në fund të së cilës Kuvendi del me një rezolutë për punën e akuzës. Në një farë mënyre rritet doza e kontrollit të Kuvendit mbi organin e akuzës.
Gjykoni se këto ndryshime kushtetuese janë një shtim kontrolli mbi Prokurorin e Përgjithshëm?
Ndryshimi i termit informim nga raportim sjell një sërë ndryshimesh se si prokurori i Përgjithshëm raporton para Kuvendit të Shqipërisë. Në ndryshim nga koha e mëparshme kur prokurori i Përgjithshëm informonte, mbante raportin e tij statistikor mbi gjendjen e kriminalitetit dhe largohej, tashmë ai raporton gjendjen e kriminalitetit, është i detyruar t'i përgjigjet pyetjeve të deputetëve, të dëgjojë dhe të ketë një seancë debati nëqoftëse do të ketë kërkesë të deputetëve dhe në përfundim do dalë me rezolutë për punën e organit të akuzës. Sigurisht kjo ka një dozë më të madhe kontrolli se sa të bësh një hiring, kur prokurori i Përgjithshëm lexon një material të përgatitur prej tij.
Sa keni pasur dijeni për ligjin e ri për Prokurorinë?
Në momentin që u mbajt ky qëndrim nga diplomati amerikan, unë kisha një njoftim për disa ndryshime që mund të bëheshin mbi draftin e punuar me grupin e punës, por të marra në rrugë jozyrtare. Në tavolinën time të punës nuk ka pasur asnjëherë një material të shkruar për këto ndryshime, lidhur me pezullimin e prokurorit të Përgjithshëm dhe Kodi i Procedurës Penale.
Ministri i Drejtësisë tha se, e keni ofruar ju draftin e parë, takimi i parë është bërë më 6 mars dhe thotë se takimet kanë qenë intensive mes palëve. I konfirmoni këto që thotë ministri?
I konfirmoj deri në draftin e parë. Ka qenë një draft në të cilin në pjesën më të madhe janë pasqyruar qëndrimet e organit të akuzës lidhur me ndryshimet e ligjit, por nuk është drafti i parë ai që ka ngjallur diskutimet, janë ndryshimet e bëra mbi këtë draft.
Ju duket normale që ta merrni draftin vetëm para dy ditësh?
Absolutisht nuk më duket një gjë normale. Procesi i ndërtimit të një ligji është një proces shumë serioz, patjetër që grupet e interesit duhet të japin qëndrimet e tyre për çështjet thelbësore të ligjit, aq më tepër kur bëhet fjalë për një ligj mbi funksionimin e organit të akuzës.
Cilat janë pikat më të kontestueshme të ligjit për Prokurorinë?
Ajo që është thelbësore në ligj është një kompetencë që i shtrohet Ministrisë së Drejtësisë ku ajo kontrollon organin e akuzës. Kjo është një kompetencë që Ministria e Drejtësisë e ka edhe sot me ligjin ekzistues. Pas përfundimit të kontrollit rezultatet e inspektimeve i bëhen të ditura, sipas ligjit në fuqi, prokurorit të Përgjithshëm, presidentit dhe prokurorit që është involvuar në situatën që prezantohet në shkelje të ligjit apo ka nevojë të rishikohet. Në ndryshimet që propozon për t'iu bërë ligjit ministri i Drejtësisë merr të drejtën të raportojë në Kuvend për rezultatet e kontrolleve që ai kryen në Prokurori. Pas diskutimeve në grupin e punës, është riformuluar dhe është thënë që edhe prokurori i Përgjithshëm mund të dalë në Kuvend dhe të japë mendimin e tij ndaj raportit të ministrit të Drejtësisë. Pyetja që shtrohet është çfarë do bëjë Kuvendi?
Nëse Kuvendi hedh poshtë një raport të prokurorit të Përgjithshëm, kjo mund të çojë deri në shkarkim të tij. Ju mendoni se kjo që parashikon ligji i ri mund të sjellë një masë ndaj kryeprokurorit?
Në një moment të caktuar çdo maxhorancë që do të godasë punën e Prokurorisë mund ta godasë nëpërmjet një raporti dhe që nuk prodhon rezultat, por e bën vurnerabël institucionin e akuzës. E ekspozon pa një vendimmarrje të caktuar të Kuvendit. Nëse Kuvendi do të ketë nevojë të marrë një vendim për këtë raportim, por që nuk është e parashikuar në draft, logjika ta do të mendosh që Kuvendi do mbështesë ministrin e Drejtësisë duke qenë se Kuvendi në shumicën e tij mbështet maxhorancën qeverisëse. Kështu që gjithsesi që oponenca e prokurorit në këtë rast do të ishte thjesht një ekspozim i shumë fakteve që përbëjnë sekret hetimor dhe i pavlerë përveçse të indimidimit (kërcënimit) të organit të akuzës. 
Ndani të njëjtin mendim me Alibeajn përsa i përket imunitetit të prokurorit?
Nuk ndaj të njëjtin mendim. Ndryshe nga imuniteti i deputetëve dhe një sërë zyrtarësh të lartë, prokurorët mund të hetohen, mund të përgjohen, mund të pyeten dhe të survejohen. Mund të bëhen të gjitha hetimet e nevojshme për të zbardhur një ngjarje kriminale, mund të dërgohen në gjyq dhe në asnjë institucion nuk është e nevojshme të merret leje për këtë veprimtari. E vetmja gjë që neni 36 i këtij ligji i ofron prokurorëve është një garanci ndaj arrestit që mund t'u bëhet atyre dhe organi që vlerëson nëse mund të arrestohet ose jo, është vetëm prokurori i Përgjithshëm. Është një masë që është parashikuar të mbrojë prokurorin nga arbitrariteti i rrugës, nga arbitrariteti qoftë edhe i forcave policisë së shtetit në një reagim të çastit ndaj një prokurori, i cili mund të ndodhet në një pozicion të caktuar për shkak të ushtrimit të funksioneve të tij, të cilat nuk i ka asnjë zyrtar tjetër i shtetit.
Ky ligj mund të pengojë punën e prokurorëve, ndërkohë që ata janë duke u marrë me një çështje të rëndësishme hetimore siç është Gërdeci...
Këto ndërhyrje në ligj cenojnë pavarësinë e organit të akuzës dhe kjo nuk vlen vetëm për çështjen e Gërdecit, kjo vlen edhe për Gërdecë të tjerë, megjithëse uroj të mos ndodhin asnjëherë. Ne kemi zgjedhur modelin e prokurorisë së pavarur, ky është pozicioni kushtetues i organit të akuzës. Mendoj që çdo dispozitë ligjore që bie në kundërshtim me këtë parim do ishte e kontestueshme dhe në emër të kësaj unë mendoj se këto janë dispozita që nuk duhet të kalojnë.
Mund të ketë vendimmarrje nëse prokurori i Përgjithshëm do të pranojë të punojë në këto kushte të reja, ku është vënë...
I vetmi veprim që mund të ndërmerret në rast se do të kemi situata të tilla mund të ishte goditja e ligjit për antikushtuteshmërinë nëse do kishte dispozita që do të shikoheshin nga ne si antikushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›