E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Islami, në drejtim të kundërt me vendimin politik të PS

TIRANE - Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla sqaroi arsyet e përjashtimit të Kastriot Islamit nga grupi i PS-së. Sipas Ballës, çregjistrimi i Islamit lidhet me votimin në Kuvend për kandidaturën e Bujar Leskajt, i cili shkeli vendimin politik të Partisë Socialiste duke u larguar nga salla. 

"Çregjistrimi bëhet për thyerje të vendimit politik të grupit në lidhje me votimin në Kuvend për kandidaturën e Bujar Leskajt si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Deputeti Kastriot Islami ndryshe nga gjithë të tjerët, vendosi të shkojë në drejtimin e kundërt me frymën e këtij mirëkuptimi dhe përmbajtjen e kësaj vendimmarrjeje të mishëruar edhe në vendimin politik të thyer prej tij.", -u shpreh Balla.

Balla bëri të ditur se “qoftë pjesëmarrja në votim, qoftë votimi në unison me vendimin politik ishin të detyrueshme për të gjithë anëtarët e grupit socialist. Ashtu sikundër është e qartë se në këtë rast edhe zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund t’i binte ndesh vullnetit të grupit duke shkelur vendimin politik.”

Ndërkohë sipas Ballës, kryesia e Grupit Socialist mirëkuptoi plotësisht pamundësinë objektive të deputetit Pandeli Majko për të qenë i pranishëm në seancë dhe në emër të të gjithë deputetëve socialistë uron bashkë me të gjithë shqiptarët suksesin e plotë të kandidaturës së tij për postin e lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Partia Socialiste është një bashkim i lirë njerëzish që besojnë në vlerat e lirisë, drejtësisë, solidaritetit dhe bashkëjetojnë në diversitetin e mendimeve në respekt të njëri-tjetrit e të vlerave e normave të pranuara bashkarisht.”- vijoi më tej Balla.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›