Përjashtohet nga grupi i PS-së Kastriot Islami
Përjashtohet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste deputeti Kastriot Islami. Vendimi është marrë në mbledhjen grupit i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura ku deputetët socialistë kanë votuar pro përjashtimit të Islamit. Sipas informacioneve 4 deputetët të Partisë Socialiste kanë votuar kundra përjashtimit të Islamit nga grupi ndërsa dy të tjerë kanë abstenuar. Kështu mësohet se deputetët Arben Malaj, Tom Doshi, Hazir Gashi dhe Marko Bello kanë votuar kundër përjashtimit të Islamit ndërsa abstenuan deputetët Et`hem Ruka dhe Pandeli Majko.
Ndërkohë më herët deputeti Kastriot Islami është larguar nga mbledhja e grupit të PS-së pas vendimit të marrë nga grupi që kjo mbledhje të zhvillohet me dyer të mbyllura.
“Më ka vënë në dijeni Taulant Balla që më thotë se është diskutuar dhe është vendosur që kjo dhe të gjitha mbledhjet si kjo do të bëhen me dyer të mbyllura. Kjo është ngjarje shumë speciale, e rrallë për politikën shqiptare, e pamundur për politikën e vendeve demokratike. Unë nuk e konsumoj qëndrimin tim në një sallë të mbyllur,” ka theksuar Islami në një prononcim për mediat.
Ai i ka ftuar mediat të jenë të pranishme në orën 14:30 në kryesinë e Kuvendit ku ai do të shpalosë edhe qëndrimin e tij në lidhje me këtë çështje. “Do të jam qëndrimin tim në Kuvend pasi ai është vendi i dytë pas selisë së PS-së ku unë mund të jam mendimin tim” ka shtuar Islami.
Kështu deputetët socialistë kanë vendosur ç`rregjistrimin nga grupi të deputetit Islami i cili në seancën e fundit parlamentare u largua dhe nuk mori pjesë në votimin e Bujar Leskajt për kreun e KLSH-së. Vendimi për Islamin u mor në mbledhjen e kryesisë javën e shkuar, por vetë deputeti tha se nuk kishte patur asnjë komunikim zyrtar.