Balla: Në Vlorë, 3 pikë për tifozët dhe presidencën
Drejtori teknik karikon skuadrën para transfertës me vlonjatët dhe beson te marrja e një rezultati pozitiv
Java e 10-të e gjen Kukësin në transfertën me Vlorën, që nga drejtuesit e ekipit kuksian shihet vendimtare për ecurinë e mëtejshme. Për Sportin shqiptar, drejtori teknik, Sabri Balla, shprehet: Jemi përgatitur jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht për ta fituar ndeshjen me Vlorën. Jemi në vend të tretë dhe, nëse duam të ngjitemi në superligë direkt, duhet që të fitojmë edhe në transfertë.
Vlonjatët kanë një skuadër të forte, me lojtarë cilësorë, por ne kemi zhvilluar dy javë përgatitje intensive dhe e dimë forcën reale të Kukësit. E kemi treguar veten edhe jashtë fushe, ku dua të përmend Gramshin, Adën dhe Elbasanin, kështu që nuk ka pse të mos paraqitemi denjësisht edhe në Vlorë. Synojmë fitoren, që do tua dedikojmë tifozëve dhe presidencës, që po na qëndrojnë korrektë me mbështje morale dhe financiare. Kukësi është një nga ekipet më të organizuara të kategorisë së pare, me një staf profesionist, duke filluar nga trajneri Berberi dhe ndihmësi i tij Xhetani.
Prençi Nën urdhrat e trajnerit Shahin Berberi është vënë edhe mbrojtësi 18-vjeçar, Elvis Prençi, i cili ka qenë i grumbulluar me ekipin Shpresa. Ai luajti titullar në ndeshjet me Rusinë dhe Portugalinë, ndaj dhe ka marrë përgëzimet e stafit drejtues dhe shokëve të ekipit. Elvis Prençi javët e fundit është aktivizuar nga trajneri Shahin Berberi dhe është një nga pikat e forta të mbrojtjes së Kukësit, edhe pse është i ri në moshë.