E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nora: Ky Luftëtar është i pathyeshëm

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Sulmuesi gjirokastrit kryeson listën e shënuesve më të mirë, ndërsa ekipi i tij kryeson tabelën i shkëputur 5 pikë nga vendi i dytë

Me fitoren 3-1 ndaj Elbasanit, Luftëtari u shkëput 5 pikë nga ndjekësi më i afërt dhe tani mund të themi se po bëhet  ekipi i ëndrrave të kategorisë së parë. Fitorja erdhi si rezultat i lojës kolektive me grintë të lartë, ku heronjtë mitikë rezultojnë Nora, autori i dy golave, që janë të parët para tifozëve gjirokastritë dhe që e bëjnë golashënuesin më të mirë të ekipit dhe të kategorisë në fjalë, Baci që realizoi një gol, duke arritur në kuotën e dy golave, si dhe portieri Selimaj, që neutralizoi një 11-metërsh dhe evitoi disa raste të rrezikshme.

Pas Bajramit, Nora ka realizuar dy dygolësha, një në Sarandë dhe një në Gjirokastër, ku përkon që në secilin prej tyre njëri të jetë shënuar me 11-metërsh. Sulmuesi ka luajtur në 6 nga 9 ndeshjet e deritanishme, sepse në 2 ishte i dëmtuar dhe në 1 pezulluar për shkak të një kartoni të kuq. Edhe pse kështu, ai dhe ekipi i tij kryesojnë. Luftëtari, me suksesin ndaj Elbasanit arriti në kuotën e 5 fitoreve radhazi në fushën e tij, diçka e rrallë për të.

Ndoshta është hera e dytë, sepse një gjë e tillë ka ndodhur në sezonin 2006-2007, kur luante për herë të fundit në superligë dhe fazën e parë realizoi 5 fitore radhazi në Gjirokastër, madje në përbërje kishte edhe Norën, por çuditërisht në fund ra nga kategoria. Këtë sezon Luftëtari ka mundësinë të thyejë rekordin e vetë, sepse nesër pret Ilirinë dhe janë gjithë mundësitë për të marrë fitoren e 6-të radhazi, veçse në inferiore.

Nora Arlind Nora, që tregohet i hazdisur që mund të arrijë edhe ai nivele më të larta si golashënues, shprehet: Fitorja me Elbasanin vërteton se ky Luftëtar pa dyshim që po marshon me ritmin e duhur drejt superiores. Të them të drejtën, u gëzova  jo vetëm që realizova dy gola, por ca më shumë për faktin që në saj të fitores e arritur me angazhimin e të gjithëve, u gëzuan tifozët tanë, të cilëve shpresojmë se do tu plotësohet dëshira për ta parë ekipin e zemrës në superiore, pasi kanë 5 sezone që torturohen, përderisa ai nuk është aty.

Pas 9 javësh ekipi ynë ndodhet 5 pikë para vendit të dytë, diferencë që mund ta thellojmë që të shtunën, kur presim Ilirinë. Është e qartë që Luftëtari është shumë më i fortë se Iliria, por fitorja arrihet me lojë, pra nuk duhet ta nënvlerëzojmë aspak atë, përkundrazi, pa kurrëfarë euforie duhet të luftojmë të mobilizuar.

Shpresoj se do të vazhdoj të shënoj dhe kështu do të kem dhënë ndihmesën time për realizimin e objektivit, që o këtë sezon o kurrë do ta realizojmë. Për mua ky Luftëtar  është i pathyeshëm, por e theksoj nuk duhet të kemi asnjë shenjë mendjemadhësie, sepse kampionati ka shumë ndeshje për të fiksuar renditjen e tij përfundimtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›