E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Për Durrës-Kukës janë vjedhur 350 milionë euro

Partia Socialiste akuzoi sot qeverinë për abuzimet e shumta në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Sipas deputetit socialist Taulant Balla, është rasti unikal në botë që një Kryeministër dhe një Qeveri, mundohet të shesë për sukses një ndër vjedhjet më të mëdha të fondeve publike. As më shumë dhe as më pak, por afro 350 milionë euro.

Në emër të PS-së, ai është shprehur mbështetës i aksit rrugor shumë të rëndësishëm, por nuk mund të pranohen mashtrimet me projektet dhe kostot e rreme, që mbulohen në emër të patriotizmit.

“Nuk mund të pranojmë që Sali Berisha, që furnizonte me benzinë makinerinë vrasëse serbe, të përdorë patriotizmin, aspak për hir të atdhetarizmit, por vetëm me qëllimin e fshehjes dhe manipulimit publik të vjedhjes së shekullit. Është mjaft e qartë që patriotizmi në dukje, është alibia e vetme e korrupsionit real”- tha ai.

Sipas Ballës, nuk mund të fshehin deklaratat patriotike, as vizitat turistike, as peligrinazhet përgjatë kësaj rruge, të vërtetën e madhe, se nëse kjo rrugë do të ishte realizuar me koston e vet reale, atëherë me të njëjtat para të shqiptarëve, do të ishte ndërtuar edhe rruga po aq patriotike, Rruga e rëndësishme e Arbrit.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme rritjen e efektivitetit në drejtim të zbardhjes së plotë të vjedhjeve dhe shpërdorimeve me fondet publike në dosjen hetimore "Rruga Durrës-Kukës" për të mundësuar kështu vendosjen para drejtësisë të Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe kujtdo hajduti tjetër, që përfitojnë paratë e shqiptarëve.

“I kërkojmë Prokurorisë të jetë mjaft e vëmendshme, se këto para të përvetësuara kriminalisht, mund të keqpërdoren nga ky klan familjar për qëllime politike dhe elektorale”- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›