PS: Qeveria tu kërkojë falje shqiptarëve për krizën e çmimeve
“Infrastruktura rurale sot është në nivele mesjetare, dhe nuk mund të sjellë asnjë ndihmë për bujkun shqiptar. Ndaj do të ishte e udhës që qeveria të ndalte demagogjinë dhe t’u kërkonte falje fermerëve në mbarë vendin, jo vetëm për mosmbajtje premtimesh, por mbi të gjitha për paaftësinë e saj për të rritur dhe zhvilluar këtë sektor”. Deklarata është e nënsekretarit për programin politik të PS-së, Ervin Bushati.
Sipas tij, qeveria shqiptare nuk garanton dot infrastrukturën minimale për të shpëtuar bujqësinë shqiptare dhe fshatin. Çdo bujk sot sjell si shqetësim kryesor mungesën totale të rrugëve, energjisë dhe sistemit ujitës në ndihmë të prodhimit të tij që nuk mbërrin dot deri në treg.
Ai ka vënë në dukje nivelin kritik të zhvillimit të infrastrukturës rurale, e cila bën të pamundur leverdinë ekonomike të prodhimit në bujqësinë shqiptare. :Kjo ndëshkon si prodhuesit në fshat, që nuk arrijnë të shesin me fitim prodhime që i kanë kultivuar me aq mund; ashtu dhe konsumatorët në qytete, që ju duhet të paguajnë gjithmonë e më tepër në tregjet ushqimore nga të ardhurat e tyre”- tha ai.
Në kohë prodhimi, produkte bujqësore si: perime apo frutat shqiptare janë 2-3 herë më të lira se në tregjet e shumicës së vendeve Europiane; por mungesa ndëshkuese e infrastrukturës në bujqësi bën që produktet të kalben dhe të mos shohin dot as tregun më të afërt brenda vendit, për të mos folur për eksporte në vende të tjera që mund të mirëprisnin produkte cilësore shqiptare. Këtë, sipas tij, nuk e thotë vetëm Partia Socialiste por të gjithë organizmat ndërkombëtarë që monitorojnë vendin.
Nisur nga një situuatë e tillë ai ka sugjeruar që kryeministri dhe qeveria që drejton më së paku duhet t’i kërkojnë falje bujqërve dhe fermerëve për pamundësinë daljes së prodhimeve të tyre në treg, por edhe qytetarëve për shtrenjtimin e kostos së jetësës pikërisht për këtë arsye.
Ndërkohë që ka kujtuar se në Programin e ri Qeverisës të Partisë Socialiste, zhvillimi rural i integruar mebujqësinë do të jetë një prioritet për të shpëtuar fshatin nga prapambetja mesjetare që e mban sot peng.