Balla: Përmbytja për shkak të interesave të qeverisë
Ai shtoi se KESH kishte informacion të plotë që në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit dhe dhjetëditëshin e parë të Janarit, do të kishte reshje, do të kishte temperatura pranverore që shkrijnë dëborën e maleve. “Autoriteteve kompetente, u mjaftonte vetëm të shihnin motin në televizor, njësoj si gjithë shqiptarët e tjerë, për të kuptuar se në ditët në vijim, prurjet në kaskadën e Fierzës do të rriteshin ndjeshëm. Por ministri përgjegjës, Dritan Prifti, ndoshta ndiqte parashikimin e motit në Turqi, ku do të shkonte me pushime, e jo në veri të vendit, ku pas pak ditësh do të ndodhte katastrofa”, tha Balla. Ashtu sikurse kishte deklaruar edhe maxhoranca, deputeti opizitar theksoi se me “ngritja e temperaturës shkriu dëborën, dhe kësisoj brenda katër ditëve prurjet në Fierzë u trefishuan”. Sipas Ballës, këtu kanë hyrë në lojë interesat e familjes Kryeministrore, duke nënvizuar se në një kohë që prurjet trefishohen, ulet me katër herë dhe pesë herë prodhimi i energjisë.“Në vend që uji të shkarkohej duke prodhuar energji, Sali Berisha dhe Dritan Prifti vazhdojnë të mbledhin edhe më shumë ujë, duke ulur prodhimin e energjisë, ndërkohë që vazhdonte importi”, vijoi Balla.