Balla: Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje, nuk do të shkarkohet

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj, të cilin opozita e akuzon për shkelje të rënda të Kushtetutës.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se nuk ka asnjë bazë për shkarkimin e Presidentit, duke e cilësuar kërkesën e PD-së si të pabazuar dhe të motivuar politikisht.
“Unë nuk merrem me thashetheme, por duhet edhe një etikë institucionale. Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Në vlerësimin tim, Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se shkeljen e Kushtetutës mund ta konstatojë vetëm Gjykata Kushtetuese, jo individë apo parti politike.
“A ka ngelur ndonjë institucion që nuk ka një kërkesë për shkarkim? Shkeljen e Kushtetutës e vërteton vetëm Gjykata Kushtetuese, jo ky personi”, tha ai.
Balla sqaroi gjithashtu se në Kuvend nuk ka mbërritur një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor, por vetëm kërkesa për shkarkim, e cila nuk përmbush kriteret për të vijuar me procedurën.
/rtsh.al/