E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bardhi: Paraqitëm 3 kërkesa për “Zgjedhoren” dhe “Territorialen”, PS kërkoi kohë për t’i shqyrtuar

Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka deklaruar se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nuk ka patur asnjë dakordësi mbi ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale dhe reformën zgjedhore.

Bardhi u shpreh se opozita ka paraqitur 3 kërkesa, një prej të cilave sipas tij lidhet me atë që ai pretendon për kalimin e partisë PSD të Tom Doshit si parti e opozitës, barazinë në komisionin e reformës zgjedhore dhe vendosjen e dy bashkëkryetarëve me të drejtë veto në komisionin për reformën zgjedhore, ftesën dhe angazhimin e ekspertëve të OSBE/ODIHR, KiE, Venecia në dy komisionet.

“Njoftim i rremë i lëshuar nga kryetari i kuvendit për mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Nuk ka patur asnjë dakordësi nga grupi parlamentar i PD mbi dy projektvendimet e propozuara nga grupi parlamentar i PS, për projektvendimin për komisionin e posaçëm reformën zgjedhore dhe administrativo-territoriale.

Grupi parlamentar i PD ka miratuar në mbledhjen e datës 8 tetor, 3 shqetësime, kërkesa për 2 pr.vendimet. Kërkojmë barazi reale dhe konsensus në vendimmarrje; ftesën dhe angazhimin e ekspertëve të OSBE/ODIHR, KiE, Venecia në dy komisionet; për fillimin e punës së reformës zgjedhore të pritet raporti i fundit që do bëjë publik OSBE/ODIHR për zgjedhjet.

Kërkuam ndryshimin e pikës 3 në projektvendimin për reformën zgjedhore që kërkon ti imponojë opozitës partinë e Tom Doshit si parti e opozitës.

Grupi i PS ka 8 anëtarë në komisionin e zgjedhores, formulimi vijues është 8 përfaqësues të PS dhe 8 përfaqësues nga partitë e tjera parlamentare. Nga një anë bëjnë sikur japin barazinë nga ana tjetër na diktojnë kush është opozita. Kërkuam ruajtjen e formatit të formulimit që ka pasur çdo komision i reformës zgjedhore ku përcaktohen përfaqësues të grupeve parlamentare, 8 nga PS, 6 nga PD, 1 nga aleanca për ndryshim dhe 1 nga PL”, deklaroi Bardhi.

Ky i fundit bëri me dije se partia socialiste ka marrë kohën e saj deri ditën e nesërme për shqyrtimin e kërkesave të opozitës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›