“Zgjedhorja” përplas PS dhe PD për përfaqësimin. Balla: Përfshirje për të gjitha partitë. Bardhi: Duhen vetëm grupet parlamentare

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, debati për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore solli qëndrime të ndryshme mes mazhorancës dhe opozitës, edhe pse të dyja palët në parim u shprehën pro ngritjes së tij me konsensus.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi se ekziston një traditë parlamentare që garanton përfaqësimin e të gjitha forcave politike në komision. Balla shprehu bindjen që “reforma zgjedhore të ngrihet nesër dhe shpreson që kjo të bëhet me konsensus të plotë”.
“Ka një traditë parlamentare për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore për të garantuar sa të jetë e mundur përfaqësimin e partive polikë në kuvend. Kur flitet për Zgjedhoren është e domosdoshme që edhe partitë që nuk e kanë një grup parlamentar të jenë të përfaqësuara në këtë komision. Propozimi ynë ka qenë i njëjtë me atë që është gjithmonë, të jemi të barabartë edhe në numër edhe në të drejtën e vetos dhe është garancia më e madhe që dy partitë e mëdha kanë. PS dëshiron dhe insiston dhe prandaj e kemi lënë pezull vetëm këtë pikë të vendimit që ta miratojmë të gjithë së bashku. Kur ne shohim që kur PD këto partitë e vogla i duhen dhe u merr borxh kandidatin për kryetar bashkie se vetë nuk kanë pse duhet t’i përjashtojmë nga ky komision”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se qëndrimi i PS mbetet i pandryshuar: dy partitë e mëdha të jenë të barabarta në numër dhe në të drejtën e vetos, si garanci për procesin. Sipas tij, edhe në vitin 2017 një qasje e tillë u ndoq me konsensus, ndërsa në 2020 u ngrit Këshilli Politik për të përfshirë opozitën e cila ishte jashtë parlamentit.
“Edhe në 2017 kemi bërë këtë gjë, e kemi lënë këtë pikë për ta diskutuar. Ky ka qenë qëndrimi im në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe shpresoj të vijojmë të jemi të angazhuar për të ngritur komisionin me konsensus. Nuk ka asnjë vendim substancial nëse përfaqësuesi i PD apo PS ushtron veton, çfarë problemi ke ti nëse çdo parti politike është përfaqësuar? Në 2020 na u desh të bënim ngritjen e një këshilli politik që të sillnim PD se nuk kishte grup parlamentar se e kishte lënë rrugëve. Nesër do të ngrihet reformë zgjedhore të shpresojmë që të bëhet me konsensus”, tha Balla.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ngriti çështjen e përfaqësimit në komision, duke kërkuar që ndarja të bëhet sipas grupeve parlamentare dhe jo sipas partive.
“Por unë kërkoj që ky komision të ngrihet pasi të kemi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Nuk mund të bëjmë ndryshime, kur jemi në pritje të rekomandimeve dhe sugjerimeve nga ai raport. Pra, propozoj që ngritja e këtij komisioni të bëhet menjëherë pas publikimit të raportit.
Kam edhe një çështje të dytë: Këtu është theksuar se komisioni përbëhet nga 16 anëtarë – 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera parlamentare. Partitë parlamentare në Kuvend, referuar shpërndarjes së deputetëve, janë rreth 13. Pra, nuk veprohet mbi baza partish parlamentare, por mbi grupe parlamentare. Kjo ka qenë tradita e ruajtur. Sepse, po ta vlerësojmë ndryshe, do të thotë që PS t’i lërë një vend PSD-së, ndërkohë që kjo e fundit nuk është deklaruar në opozitë”, tha Bardhi.
Sipas projektvendimit të depozituar tashmë në Konferencën e Kryetarëve, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të ketë 16 anëtarë, nga të cilët 8 përfaqësues të Partisë Socialiste dhe 8 përfaqësues nga partitë e tjera parlamentare. Ky Komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.
/rtsh.al/