E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Zgjedhjet në Kosovë model, kushtrim për ne

Kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ka përshëndetur zgjedhjet vendore të mbajtura në Kosovë më 12 tetor.

Berisha deklaroi se këto zgjedhje ishin një model për lirinë e votimit. Sipas Berishës, qeverisja e Kosovës sipas një vlerësimi të bërë nga një institut prestigjioz, dilte tri herë më afër qeverisjes demokratike evropiane se Shqipëria.

“Edhe njëherë, dhe shumë herë, duhet të urojmë Kosovën për zgjedhjet model që ka zhvilluar. Ndaj dhe në vlerësimin që bënte një institut shumë prestigjioz, qeverisja e Kosovës dilte 3 herë më afër qeverisjes demokratike evropiane se sa Shqipëria. 3 herë më afër.

Qeverisja e një vendi që ka 17-18 vite pavarësi, krahasuar me një vend që ka 100 e ca vite pavarësi.

Ishte tregues jashtëzakonisht domethënës. Qytetarët e Kosovës votuan të lirë.

Zgjodhën kryetarët që deshën, pati komuna në të cilat fituan krejtësisht të pavarur vetëm me emrin dhe personalitetin e tyre, në rivalitet më partitë e mëdha. Dhe gjithçka u zhvillua në standardet e ligjit, e kundërta e asaj që ndodh me zgjedhjet në Shqipëri, ku narkoshteti dikton çdo gjë”, tha Berisha.

Kosova zhvilloi më 12 tetor zgjedhjet vendore. Me një pjesëmarrje prej 39.5 për qind, gara solli rezultate të ngushta për kandidatët për kryetar, ku në 21 komuna u përmbyll procesi të dielën dhe 17 komuna do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›