E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Prifti në pushime luksoze ditët e përmbytjeve

 Partia socialiste akuzoi qeverinë dhe ministrin e ekonomisë dhe energjitikës për papërgjegjshmëri. Deputeti socialist Taulant Balla tha dje se gjatë ditëve që Shkodra përmbytej ministri i Ekonomisë bënte pushime luksoze në Turqi. Balla duke ia dëshmuar këtë fakt me biletën vajtje ardhje të Ministrit të Energjetikës u shpreh se Berisha ishte tërësisht në dijeni të këtij informacioni. “Ministri i Energjetikës, dy ditë pasi kishte filluar përmbytja e paramenduar, më datë 30 Dhjetor është larguar nga Shqipëria për të pushuar në një hotel luksi në Turqi. Po ju paraqesim detajet e fluturimit të ministrit përgjegjës për katastrofën. Dritan Prifti është rikthyer në Shqipëri vetëm më datë 3 Janar, kur tashmë Shkodra ishte zhytur nën ujë, jetët e banorëve ishin vënë në rrezik, ndërsa pronat ishin shkatërruar plotësisht”, tha Balla. Sipas deputetit socialist, kjo është prova më e qartë se kjo qeveri është e papërgjegjshme dhe me papërgjegjshmërinë e saj ka shkaktuar katastrofën që përmbyti Veriun e vendit, që rrezikoi jetët e mijëra shkodranëve dhe la mijëra familje pa shtëpi, pa pronë, pa bagëti, pa të nesërme. “Në kushtet kur Shkodra zhytej në ujë dhe portat që përmbytnin Veriun e vendit ishin hapur, ministri përgjegjës zgjodhi të largohej për pushime duke u rikthyer në Shkodrën e përmbytur 5 ditë më pas, kur tashmë  situata ishte në pikën kritike. Fundjava e tmerrit për shkodranët, ishte fundjava e luksit për Dritan Priftin. Sali Berisha ka qenë në dijeni të plotë të këtij informacioni”, u shpreh deputeti socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›