Korrupsioni, pranga 9 policëve
Etleva Delia/ majlinda ramaNëntë efektiva të policisë rrugore, që kryenin shërbim në rrugën Fier-Vlorë, u arrestuan dje me akuzën e korrupsionit ndërsa tetë të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Aksioni është finalizuar pas hetimeve të nisura nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Task-Forcën Antikorrupsion në Fier. Shkak për fillimin e hetimeve janë bërë dhjetëra ankesa nga qytetarët, kryesisht drejtues mjetesh. Policia rrugore në Fier, sipas burimeve nga hetimi, ishte bërë objekt ankesash të shumta muajt e fundit nga qytetarët. Të ndodhur në situata kur nuk gjobiteshin për kundravajtjet e kryera, por gjithsesi detyroheshin të paguanin nën dorë policët rrugorë, drejtuesit e mjeteve kanë denoncuar pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Ky i fundit për më se katër muaj ka zhvilluar hetime në heshtje të plotë ndërsa dje ka dërguar në Fier një grup oficerësh për kryerjen e arrestimeve, ndërkohë që policia e qytetit ishte "jashtë loje" për shkak të konfidencialitetit të hetimit. Policët ndanin ryshfetinSipas hetimeve të zhvilluara nga SHKB dhe Prokuroria për disa muaj, ka rezultuar se policët e arrestuar shërbenin me patrulla në rrugën Fier-Vlorë, por edhe në akse të tjera. Shumat e ryshfetit që ata kanë marrë, fillonin nga 500 lekë të reja dhe vazhdonin deri në 300 euro, në rastet e emigrantëve. Mënyra klasike e abuzimit ka qenë ndarja e detyrave mes policëve të një patrulle. Njëri qëndronte në anë të rrugës, ndërsa dy të tjerët në makinë. Në këtë mënyrë, ata nxirrnin tabelën e ndalimit për shoferët dhe në varësi nga gjendja e tij merrnin shumën e parave, e cila më pas ndahej mes policëve në varësi të numrit nga i cili përbëhej patrulla. Gjatë hetimeve është zbuluar se efektivat e arrestuar, por edhe ata që ndiqen në gjendje të lirë, u merrnin shoferëve nga 5 mijë lekë të vjetra deri në 2 mijë lekë të reja, në varësi të shkeljes që kryenin dhe ndëshkimit që mund të merrnin. Shkelja më e lehtë e Kodit Rrugor, një drejtuesi mjeti i kushtonte 5 mijë lekë të vjetra, në këmbim të gjobës, ndërsa drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, apo shpejtësia tej normave të lejuara mund t'i kushtonte deri në 20 mijë lekë të vjetra. AbuzimiEfektivat rrugorë dyshohet se kanë marrë ryshfet në këmbim të mosbllokimit të dokumenteve dhe vënies së gjobave, gjatë kohës kur kryenin shërbimin në aksin rrugor Lushnjë-Fier-Vlorë. Aktiviteti abuziv i kryer nga këta punonjës të Policisë Rrugore është i dokumentuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, me filmime, përgjime, marrje deklarimesh nga dhjetëra drejtues të automjeteve. Ata kanë kryer edhe denoncime për mënyrën e ndalimit të automjeteve, kërkimin dhe marrjen e parave nga punonjësit e policisë rrugore, në këmbim të mos bllokimit dhe mosndëshkimit të tyre për shkeljet e bëra. Disa qytetarë janë ankuar, ndërkohë se ishin ndaluar pa shkak vetëm për pretekst, por në raste të caktuara edhe pa ndonjë shkak. Në pranga kanë përfunduar efektivat, Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe. TE ARRESTUAR1. Arjan Xheka2. Bardhosh Malaj3. Flamur Derveni4. Pëllumb Toro5. Pëllumb çepele6. Vladimir Gjini7. Leonard Brahimaj8. Anesti Gjini9. Ermir GjonçeAkuza: Korrupsion pasivShpejtësia dhe dokumentet, dy pretekstet e gjobave privateFIER - Dy pretekstet e përdorura në shumicën e rasteve nga efektivat e arrestuar të policisë ishin shpejtësia dhe dokumentet. Me këto dy shkaqe ata ndalonin fillimisht shoferët dhe më pas i kërcënonin me gjoba, derisa arrinin të merrnin ryshfet duke neglizhuar ndëshkimin ligjor. Në njoftimin e djeshëm të Ministrisë së Brendshme thuhet se edhe 35 drejtues mjetesh janë në hetim për ofrimin e parave. Në disa nga rastet e mbikëqyrura ka rezultuar se disa drejtues mjetesh ofronin 500 deri në 1 mijë lekë të reja për të shmangur gjobat. Për këtë arsye, veç arrestimit të 9 policëve dhe hetimit në gjendje të lirë të 8 të tjerëve, Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet edhe për 35 drejtues mjetesh, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të "korrupsionit aktiv". Sipas hetimit në Fier, në disa raste shoferët nuk kanë denoncuar veprimin e jashtëligjshëm të policëve rrugorë dhe në raste të tilla edhe ata janë përgjegjës për ryshfetin që u kanë dhënë efektivave. Ndërsa të tjerë drejtues mjetesh, ata që denoncuan rastet dhe iniciuan hetimet, kanë dëshmuar se kanë qenë të vënë nën presion nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Lushnjë-Fier-Vlorë dhe në këtë mënyrë kanë paguar para në dorë, në këmbim të favorit për të mos u gjobitur. Sipas Ministrisë së Brendshme, 35 drejtuesit e automjeteve që aktualisht janë nën hetim, akuzohen se në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale të "korrupsionit aktiv".