E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF: Ja pse nuk kanë ndriçim stadiumet

 Stadiumet e Korçës, Kavajës dhe Durrësit duhej të ishin pajisur me sistem ndriçimi që pa përfunduar viti 2009, por kjo gjë nuk ka ndodhur akoma. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani, ka thënë se gjithçka është bërë për shkak të disa problemeve teknike, por edhe për pasojë e mungesës së investimeve nga ana e bashkive. Problemet Sipas numrit 2 të FSHF-së firma që ka marrë përsipër instalimin e pajisjeve elektrike ka hasur në probleme teknike. “është e vërtetë që disa stadiume duhej të ishin mbyllur, por firma që po merret me këtë proces, ka hasur në probleme teknike. Në disa raste, edhe terreni, pra aty ku duhej të vendosen shtyllat me prozhektorë, ka qenë i vështirë, ose fare i papërshtatshëm. Në disa raste kanë hasur edhe në probleme për shkak të ndërtimeve pa leje, pasi shtylla e prozhektorëve mund të bindte ndesh me një objekt të caktuar që është ndërtuar pranë stadiumit. Shirat e shpeshta, ndërkaq kanë qenë një pengesë, për punimet. Ky nuk është konkluzioni im, por i specialistëve”, ka deklaruar Prodani. Ai ka siguruar se brenda muajit janar mund të përfundojnë disa nga këto stadiume, por nuk ka dashur të zotohet sërish për këtë gjë. Bashkitë Në disa raste kanë munguar edhe fondet e bashkive përkatëse. Sipas Prodanit, ky nuk ka qenë një problem primar dhe vonesat nuk kanë ardhur vetëm për këtë arsye, por mbetet një problem për të ardhmen. “Më duhet të pohoj se disa nga bashkitë nuk e kanë shlyer shumën përkatëse, ose më saktë gjysmën e parave të investimit total. Federata mbulon vetëm 50% të shpenzimeve, pjesën tjetër e kanë bashkitë. Madje me keqardhje mund të them, por ky është një investim i “tepruar” nga ana jonë. FSHF ka për detyrë që të ndërtojë fusha, por nuk është e detyruar të investojë edhe për ndriçimin. Kjo është më tepër një detyrë e bashkive që janë edhe pronare të stadiumeve. Megjithatë, ne e morëm një nismë të tillë, me dëshirën për të ndihmuar disa klube dhe sportdashësit e tyre”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›