Një kryq me “sekrete” në amfiteatrin e Durrësit
Rreth 10 shekuj më parë, shumë njerëz mendonin se Zoti i dëgjonte më mirë lutjet e tyre nëse ishin të shkruara. I fshihnin dhe i mbanin gjithnjë me vete. Një përzierje mes besimit monoteist dhe besëtytnive popullore. Toka besnike ka ruajtur gjurmët e këtij besimi, duke na i sjellë deri në ditët tona. Vetëm pak kohë më parë, gjatë një ekspedite shqiptaro-italiane që po zhvillohet në hapësirat e Amfiteatrit të Durrësit, drejtuar nga Afrim Hoti dhe Sara Santoro, arkeologët zbuluan një enkolpion, apo shqipëruar, një kryq, me dy faqe, brenda të cilit fshihej një lutje. Ky është një zbulim i rrallë për hapësirat shqiptare, pasi deri më sot, janë gjetur vetëm 5 të tillë, 4 në territorin e Durrësit dhe një tjetër në Ballsh. Tashmë ky zbulim ndodhet në Laboratorin e Arkeometrisë dhe Konservimit në varësi të Qendrës Studimore Albanologjike, ku i është nënshtruar pastrimit dhe restaurimit. Sipas shefit të këtij laboratori, Frederik Stamatit, bëhet fjalë për një objekt fetar, që i takon periudhës bizantine, në shek. X-XI. Sipas Stamatit, kur u gjet ky objekt i ngjante më shumë një grumbulli dheu, por pas restaurimit, objekti doli i qartë dhe tashmë mund të shohësh qartë të dy anët e kryqit. Nga njëra anë e tij shquhet qartë Krishti i kryqëzuar, ndërsa nga ana tjetër është figura e një shenjtori, e cila ende nuk mund të thuhet saktësisht se cili shenjtor është. Figurat janë gdhendur në mënyrë naive. Janë figura të thjeshta, jo fort mirë të stilizuara, çka tregon se ato janë prodhime artizanale, vendase, madje të një përdorimi të gjerë në popull. Ky lloj kryqi mbahej në qafë nga të vegjël e të mëdhenj dhe përgjithësisht enkolpionët e gjetur kanë qenë me përmasa të mëdha. Ata hapen e mbyllen me anë të një menteshe dhe brenda tij fshihej një lutje drejtuar Zotit, apo një shenjtori të caktuar. Kryqi në fjalë, i cili pritet t’i nënshtrohet edhe procesit të konservimit, paraqet dëmtime dhe hapja e tij deri më tani ka qenë e pamundur. “Fatkeqësisht korrozioni e ka dëmtuar dhe vende-vende ka prishur edhe figurën e shenjtit. Me gjithë dëshirën për ta hapur e për të parë se çfarë fshihej brenda tij, nuk e bëmë një gjë të tillë, nga frika se mos thyheshin pjesët e bronzit. Kështu që, nëse ka ndonjë sekret, ai do të mbetet brenda”, thotë Frederik Stamati, teksa shpjegon se përgjithësisht lutjet shkruheshin nëpër copa lini. “E vetmja mundësi hapjeje është atëherë kur laboratori të pajiset me aparatura me rreze lazer, që kryen hapjen në vendet ku dy anët e kryqit janë bashkuar”, shton ai. Por duket se ky sekret nuk do të mbetet i pazbuluar, deri në momentin që politikë -bërësit të marrin seriozisht çështjen e financimit të Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, i cili deri më sot ka ecur përpara vetëm falë dëshirës së mirë të punonjësve të pakët të saj. Ka ndodhur, që për vite, buxheti i përcaktuar për mbajtjen e këtij laboratori, jo vetëm për blerjen e aparaturave, por edhe për bazën më elementare materiale, ka qenë zero. Kështu që, tani për tani duket disi absurde të flasësh për aparatura me rreze lazer, ndonëse ato janë të domosdoshme për institucione të këtij lloji dhe në laboratorët simotra nuk mungojnë kurrsesi. al. mi