E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria “zbarkon” në KESH

 Trazhgim SokolajProkuroria e Shkodrës filloi dje verifikimet në KESH dhe në HEC-et e Vaut të Dejës e Komanit pas përmbytjes nga uji të rreth 11 hektarëve tokë në këtë qark. Burime nga organi i akuzës thanë së se dy prokurorë janë ngarkuar të bëjnë verifikimin e dokumenteve në KESH dhe në Hidrocentrale për të parë nëse ka vepër penale në administrimin e prurjeve në kaskadën e Drinit. Njëri prej prokurorëve mësohet se ka vepruar dje në institucionet e varësisë së KESH-it në qarkun e Shkodrës. Prokurori tjetër ka formuluar kërkesat drejtuar zyrave qendrore të Korporatës Elektroenergjetike në Tiranë, ku kërkohet informacion për periudhën dhjetor 2009-janar 2010. Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë sqaroi dje se nuk ka regjistruar asnjë procedim penal në lidhje me përmbytjet në Shkodër. Ndërkohë prokuroria e Shkodrës, në rrugë jozyrtare e konfirmon këtë fakt por shton se veprimet e kryera nga prokurorët e saj i përkasin një faze verifikimi për elementë të mundshëm të veprës penale. Njëri prej prokurorëve të ngarkuar me këtë çështje ka qëndruar dje për disa orë në zyrat e KESH-it në Shkodër ku është kërkuar rregullorja e hidrocentraleve dhe dokumentacioni për veprimtarinë e institucionit në periudhën dhjetor 2009 - janar 2010. Prokuroria e Shkodrës ndërkohë ka parashikuar që sot dhe në ditët në vazhdim të marrë dokumente në hidrocentralet që janë në juridiksionin e saj në Koman dhe Vaun e Dejës, në lidhje me prurjet, shkarkimin dhe prodhimin e energjisë për muajin e fundit. Hetimi i përmbytjeveProkuroria e rrethit të Shkodrës tha se kryesisht ka nisur verifikimin e ngjarjes pasi është marrë informacion nga burimet e hapura për dëmet e shkaktuara në mbi 11 mijë hektarë tokë dhe mbi 2 mijë banesa në qarkun veriperëndimor të vendit. Pas këtij dëmi të shkaktuar nga përmbytja, organi i akuzës ka vendosur të fillojë verifikimet nëse ka vepër penale në veprimtarinë e institucioneve apo është fjala për shkaqe natyrore të ngjarjes. Për shkak se verifikimi ende nuk është inkuadruar në një procedim penal, prokuroria nuk ka nxjerrë vendime për sekuestrim dokumentesh por ka dërguar dje vetëm një kërkesë zyrtare për informacion në KESH-in e Shkodrës dhe në zyrat qendrore në Tiranë. Po kështu, punonjës të prokurorisë pritet të shkojnë në Koman dhe në Vaun e Dejës për të parë nga afër dokumentacionin e mbajtur me procesverbalet e prurjeve sipas ditëve, urdhrat për hapjen e digave dhe evidencat mbi prodhimin e energjisë. Prokuroria tha se ditën e djeshme është kërkuar informacion edhe nga organet e pushtetit lokal në zonat e përmbytura lidhur me objektet e dëmtuara nga uji. Në këtë verifikim sipas organit të akuzës do të përfshihen edhe ekspertë të hidroteknikës dhe energjetikës të cilët do të hartojnë një raport për lidhjen e gjendjes në kaskadën e Drinit me fryrjen e lumenjve në Shkodër.VerifikimiProcesi i verifikimit rreth përmbytjeve në Shkodër mësohet se ka nisur me një vendim të prokurorisë së këtij rrethi. Ky institucion u ka deleguar veprimet dy prokurorëve të cilët kanë angazhuar edhe disa oficerë të policisë gjyqësore për veprime në terren me mbledhjen e dokumentacionit. Dje prokuroria ka marrë në shqyrtim Rregulloren e Digave të viteve ‘80 ndërsa sipas burimeve nga organi i akuzës, priten dokumentet nga KESH dhe hidrocentralet për të bërë një ballafaqim mes ecurisë së nivelit të ujit dhe zbatimit të normave që cakton rregullorja. Sipas prokurorëve dokumentet e hidrocentraleve do të verifikohen datë pas date nëse veprimet që janë kryer, përputhen me termat e rregullores së posaçme për HEC-et në kaskadën e Drinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›