Prifti: Iki, po më tha Berisha ose Meta
nertila maho“Vetëm Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kanë të drejtën ligjore dhe morale për të më kërkuar dorëheqjen”, tha dje ministri Dritan Prifti. Deklarata e tij vjen pas akuzave dhe thirrjeve të vazhdueshme të opozitës për dorëheqjen e tij nga posti i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me pretekst situatën në Shkodër. “Vetëm Kryeministri ka të drejtën ligjore që të gjykojë mbi punën time dhe mënyrën se si e kam bërë atë, kurse të drejtën morale e ka Ilir Meta, Kryetar i LSI”, theksoi Prifti. Sipas tij, ata që e akuzojnë për korrupsion, shkelje të ligjit apo gjithçka tjetër, duhet të kenë guximin të ballafaqohen në një debat. “Zoti Rama, zgjidhni njeriun më të mirë që keni në stafin tuaj, zgjidhni më të mirin në fushën e energjetikës, dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik në studion dhe me moderatorin që doni, që t’u tregojmë gjithë shqiptarëve me transparencë gjithçka që ka ndodhur dhe çdo veprim tonin”, tha Prifti, në kërkesën publike drejtuar kryesocialistit Edi Rama. Kjo ftesë për “përballje” vjen menjëherë pas akuzave të vazhdueshme që opozita ka bërë kundër Ministrit të Energjetikës, duke e akuzuar atë se përmbytjet në Shkodër janë si rezultat i mosmenaxhimit të mirë të situatës dhe shkeljes së Rregullores. Dje socialistët kanë akuzuar kreun e Energjetikës se në kohën që Shkodra përmbytej, ai kalonte fundjavë luksi në Turqi. Ndaj këtyre akuzave, Prifti në fund të konferencës pas ftesës publike u shpreh se nëse Partia Socialiste nuk sjell të përzgjedhurin më të mirë për debat përballë shqiptarëve, atëherë më mirë të mos akuzojnë. “Mos flisni dhe mos përgojoni ata njerëz që kanë punuar me përkushtim gjatë këtyre ditëve, për të përmirësuar sa më shumë situatën e njerëzve që janë përmbytur në Shkodër”, tha ai. Duke iu kthyer situatës në kaskadën e Drinit, Prifti theksoi se mund të thuhet me garanci të plotë që situata është kthyer në normalitet. “Kemi një nivel të ujit në liqenin e Fierzës, rreth 290 metër. Kemi një nivel në Koman, 170 metër dhe në Vaun e Dejës niveli i ujit në liqen është 74 metër. Pra një situatë krejtësisht normale, për sa i përket kaskadës”, informoi ai. Duke falënderuar punonjësit e sektorit energjetik, për mënyrën sesi u përballua situata, Prifti theksoi se ajo mund të vlerësohet si një nga më të vështirat, e cila e godet një vend një herë në 100 vjet. “U përballua me shumë sakrificë, por u përballua me shumë sukses. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë që ne të prodhonim 29 milionë kilovat/orë energji në ditë nga sistemi energjetik. Kjo ishte një thyerje rekordi”, përfundoi ministri, duke theksuar edhe rekordin në eksport. Përmbytjet, Meta: Prifti,obsesion personal i RamësPak orë para mbledhjes së qeverisë, zv.kryeministri dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta garantoi angazhimin total të qeverisë për të stabilizuar situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër. Njëlloj si shefi i qeverisë, Meta e ka quajtur situatën e krijuar, pasojë të kushteve natyrore, që sipas tij ndodhin njëherë në 100 vjet. Meta ka komentuar si obsesion personal deklaratat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama ndaj ministrit të Energjetikës Dritan Prifti. “Absolutisht që është vetëm një fatkeqësi natyrore. çdo përpjekje për të instrumentalizuar një fatkeqësi të tillë për qëllime politike, absolutisht të shton keqardhjen. Me akuzat e zotit Rama ndaj ministrit Prifti, ai ka obsesion personal. është momenti që secili të japë kontributin e tij për të lehtësuar këto sakrifica që po bëjnë jo vetëm banorët e Nënshkodrës, por edhe sakrificat që po bëjnë strukturat e shtetit.” u shpreh Meta.