E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Raporti dëshmon cenimin e parimeve të demokracisë

Partia Socialiste reagoi menjëherë dje pas publikimit të të dhënave të raportit për mediat, që e rendit Shqipërinë në vendin e fundit mes shteteve të rajonit. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se renditja e Shqipërisë në raportin e "Reporterëve pa kufij" për lirinë e shtypit disa shkallë më poshtë nga 2008 në 2009, është një sinjal alarmi për cenimin e parimeve të demokracisë dhe lirisë së të shprehurit, gjë të cilën jo rrallë herë e kemi ngritur dhe e kemi evidentuar. Ai theksoi se Shqipëria në këtë indeks të "Reporterëve pa kufij" është renditur për vitin 2009 në vendin e 88, poshtë Ugandës, Mozambikut, apo Timorit Lindor, vende aspak demokratike dhe peng të luftërave civile. Balla citoi disa prej pjesëve të këtij raporti që flasin në veçanti për Shqipërinë dhe problemet që hasin mediat në raport me pushtetin. Kontrolli i qeverisë mbi median publike, tha Balla, është i pakufizuar dhe pozicionet drejtuese në shtypin e lirë janë emërime politike dhe për këtë shkak mundësojnë linjë editoriale të njëanshme. Ndërsa në lidhje me mediat private që kanë më shumë liri, sipas deputetit socialist, përsëri ato nuk janë të mbrojtura nga shumëllojshmëria e formave të presionit. "Fatura të shtuara për shërbime publike, tërheqja e reklamave, ndryshimet e taksave e kaosi institucional janë armë ligjore për të promovuar autocensurën, e cila është tashmë prezente në një numër shumë të madh të mediave. Raporti ndalet në disa raste të përdorimit të policisë kundër institucioneve të mediave, siç ishte rasti i fillimvitit kundër gazetës ‘Tema‘ apo rasti i gjobës ndaj ‘News 24‘ të vendosur nga KKRT", konstatoi ndër të tjera nga raporti deputeti Balla. Sakaq, ai u ndal edhe te pasiguria financiare e gazetarëve që lidhet me mungesën e kuadrit ligjor në ushtrimin e profesionit dhe i vendos gazetarët në mëshirën e arbitraritetit dhe thellon korrupsionin. "Shqipëria, si vendi që u anëtarësua në NATO nën moton ‘this is a miracle of freedom‘, sot është kthyer në vendin ku cenohet thellësisht liria e mediave", deklaroi Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›