E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Shqipëria në situatë kaotike

06/11/2009  PS kritika qeverisë për çështjen e pronës

“ Problemet për shkak të interesave të familjes”

“Qeveria është një bandë plaçkitëse, ndërsa shteti është kthyer në një han pa porta, në një marionetë, fijet e së cilës vihen në lëvizje nga interesa shumë të ngushtë e abuzivë, që në çdo rast të çojnë vetëm në një adresë: te Sali Berisha dhe banda e tij”, - ky ishte konstatimi i ardhur dje nga selia rozë lidhur me konfliktet e hapur gjatë kësaj kohe për çështje prone. Deputeti socialist Tauland Balla gjatë një deklarate për shtyp vuri në dukje se “vështirë të ketë sot qytetarë shqiptarë, të majtë apo të djathtë, që të mos jenë skandalizuar nga oreksi i papërballueshëm i familjes në pushtet për të zaptuar në mënyrë abuzive pronat e shqiptarëve”. Duke qenë më konkret, Balla argumentoi se “nga Kakomeja në Jalë, nga Porto-Romano në gjirin e Lalëzit, nga Orikumi në Borsh e në qendrën e Tiranës, duket se është bërë e pamundur që të kalojë qoftë dhe një ditë pa nxjerr në shesh një tjetër skandal e një tjetër abuzim, që jo rastësisht kanë gjithnjë si emërues të përbashkët ministrat, djemtë dhe vajzat, dhëndurët e sekserët e familjes që drejton sot vendin”. Sipas tij, Partia Socialiste është shumë e shqetësuar nga kjo situatë, ku interesat e familjes dhe klikës së lidhur më të vihen mbi ligjin, mbi shtetin e mbi interesin publik. “Sot Parlamenti kalon ligje të posaçme për pronat në interes të familjes. Sot Policia e Shtetit rreh dhe ushtron dhunë barbare ndaj banorëve që kërkojnë të drejtën e tyre në Orikum, apo ndërhyn në mënyrë abuzive e duke shkelur ligjin kundër pushtetit vendor”, - vuri në dukje Balla. Gjithashtu deputeti socialist, duke dashur t’i mëshojë me forcë një qëndrimi të tillë si dhe të provojë si reale problematikën e ngritur nga kjo forcë politike, solli në kujtesë vlerësimet e raportit për lirinë ekonomike të vitit 2009. “Situata kaotike e çështjes së pronave në Shqipëri reflektohet edhe në raportin e lirisë ekonomike botërore të vitit 2009, sipas të cilit lidhur me sistemin ligjor dhe të drejtën e pronës Shqipëria renditet shumë vende poshtë Iranit apo në të njëjtin nivel me vende të padëgjuara, si Trinidad-e-Tobago”, - deklaroi Balla gjatë fjalës së tij sa i takon një çështjeje të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›