E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria akordon 1.2 miliard lekë për ish-pronarët

06/11/2009  Ligji për pronësinë mbi trojet me përparësi turistike votohet nga Kuvendi

Maxhoranca nuk merr parasysh propozimet e ish-Avokatit të Shtetit, Halimi

Fondi financiar që qeveria ka akorduar për kompensimin e ish-pronarëve ka shkuar në vlerën e 1.2 miliard lekëve. E dhëna është publikuar dje në seancën parlamentare nga ministri i Drejtësisë Bujar Nishani gjatë mbështetjes së projektit të sjellë prej tij në Kuvend “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. “Nga 600 milionë lekë që kanë qenë së fundi, fondi i akorduar nga qeveria për këtë vit për kompensimin financiar të ish-pronarëve ka shkuar në 1.2 miliard lekë”, -tha Nishani. Kuvendi e miratoi dje me 73 vota projektin që u shet truallin pronarëve të ndërtimeve në zonat me përparësi turizmin. Të interesuarit do të kenë në dispozicion 6 muaj për ta paguar atë. Llogaritja e këtij afati do të nisë që nga koha kur ALUIZNI i ka verifikuar të gjitha dokumentet e depozituara sipas dispozitave të këtij ligji pranë tij. Subjekti i interesuar apo personi i stimuluar vihet në dijeni përmes një njoftimi nga ALUIZNI mbi sipërfaqen që ka për të paguar dhe çmimin për m2. Në të kundërt ndërtimet do të prishen dhe prona do të përdoret për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Kuvendi miratoi ligjin sipas variantit të Komisionit të Ligjeve dhe nuk mori parasysh propozimet e deputetit të Partisë Demokratike, ish-Avokatit të Shtetit Eduard Halimi. “Së pari, sugjeroj që të mos kenë bashkëpronësi, por secili të ketë pronën e vet; së dyti, të mos prishën ndërtimet 6 muaj pasi nuk paguhet trualli. Për këtë propozoj që si sanksion nuk duhet përdorur rrafshimi, por dhënia e truallit, pra ndryshimi i kontratës te një ish-pronar, i cili të vijojë të respektojë kontratën që pronari paraardhës kishte me shtetin. Në këtë mënyrë ne shmangim edhe konfliktet e pronësisë që mund të lindin me këtë formë që parashikon ligji”, - tha ai. Për ndërtimet para afatit 31.12.2008 projekti e zgjidh situatën në nenin 12 të tij, ku për rastin e njësisë së ndërtimit të paregjistruar në ZRPP, ALUIZNI përfundon procesin e regjistrimit fillestar të tyre, projekti parashikon dy situata: së pari, ndjek procedurat e legjislacionit në fuqi për urbanistikën dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, kur për njësitë e ndërtimit është dhënë leja e ndërtimit; së dyti, zbaton procedurat e legjislacionit në fuqi për legalizimin e ndërtimeve informale. Për ndërtimet pas dhjetorit të 2008-s ato do të trajtohen sipas përcaktimeve të Kodit Penal, i cili i cilëson ndërtimet pa leje pas 31.12.2008 si vepra penale dhe për këtë ato do të konfiskohen nga shteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›