E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihma ekonomike, shtohen kategoritë përfituese

06/11/2009  Ligji i ri i qeverisë

Qeveria do të zgjerojë grupin e përfituesve të ndihmës ekonomike. Ministria e Punëve dhe Çështjeve Sociale do t’i propozojë Kuvendit disa ndryshime në ligji nr. 9355, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Sipas këtij projekti, do të përfitojnë ndihmë ekonomike jetimët që nuk janë në institucione sociale dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror. Po ashtu në grupet që favorizohen gjatë procesit të llogaritjes për përfitimin e ndihmës ekonomike do të jenë edhe rastet kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljarë: njërin nga fëmijët për arsye të vdekjes së të dy prindërve; njërin nga fëmijët kur njëri prej prindërve është duke vuajtur dënimin me burgim, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; njërin nga fëmijët kur njërit prind i është hequr e drejta prindërore, ndërsa prindi tjetër nuk jeton; një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjik dhe tetraplegjik ose invalid pune dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë punë, të cilët nuk përfitojnë pension; nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si dhe kur anëtarët ë familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension; një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë dhe persona mbi moshë pune, pavarësisht nga të ardhurat nga pensioni apo toka; apo nëse janë familje të ngujuara si pasojë e gjakmarrjes; janë familje nën nivelin e varfërisë. Projektligji ka parashikuar edhe mbështetjen e atyre familjeve ku bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese. Në projektligj saktësohet se ndihma ekonomike është një pagesë e përkohshme e kushtëzuar, që jepet në formën e një kësti mujor, që shoqërohet me punë në komunitet. Për të mënjanuar abuzivitetin ajo do të jepet përmes bakës ose postës. Aktualisht janë 90 mijë familje që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›