E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, nuk mund të ndryshohet vendimi i gjykatave

06/11/2009  Raporterët e Asamblesë Parlamentare të KE-së i përgjigjen kërkesës së opozitës për rinumërim

Komisionerët priten nga Topi, Berisha dhe Meta. Vlerësohen zgjedhjet e 28 qershorit

Reporterët e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Jako Lakso dhe David Wilshire, duke iu referuar qëndrimit të opozitës për procesin zgjedhor, kanë theksuar se politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave. Ata janë pritur gjatë ditës së djeshme nga Presidenti Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe zv.kryeministri Ilir Meta. Në të tria takimet u diskutua rreth procesit zgjedhor të zhvilluar më 28 qershori 2009. Presidenti i Republikës vlerësoi standardin e këtyre zgjedhjeve, duke vënë në pah arritjet për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, regjistrimin në kohë të votuesve, ruajtjen e qetësisë para dhe pas zgjedhore, punën e strukturave dhe institucioneve përkatëse në këto drejtime etj. Edhe kryeministri Berisha u bëri me dije raporterëve të Këshillit të Evropës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me infrastrukturën më moderne të teknologjisë së lartë të informacionit, me kuadrin ligjor tërësisht të ri, të hartuar dhe miratuar me konsensus të gjerë mes mazhorancës dhe opozitës. Për sa u përket kërkesave të opozitës në vend për rinumërim, në takim u theksua se në asnjë rast politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave. Reporterët Lakso dhe Wilshire e uruan kryeministrin Berisha për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit dhe fitoren e koalicionit qeverisës në këto zgjedhje. Përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u shprehën se u qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet, përfshi edhe vëzhguesit e dërguar nga KE-ja, dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin që ata po përgatisin. Në takimin me kryetarin e shtetit komisionerët evropianë, pasi vlerësuan lart rolin e rëndësishëm dhe moderator të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe ligjeve, të pavarësisë së institucioneve dhe në ruajtjen e ekuilibrave politikë në vend, vunë në dukje gjithashtu edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave, përmbushjes së standardeve dhe të përparimit në rrugën e sigurt të realizimit të aspiratave integruese të Shqipërisë për në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Vlerësimi i raporterëve

Të dy raportuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Dejvid Wilshire dhe Jako Lakso, shprehën vlerësime për përparimin e bërë nga Shqipëria në drejtim të demokratizimit dhe konsolidimit të demokracisë dhe bashkëpunimit konstant dhe të efektshëm me Këshillin e Evropës. Ata, pasi vlerësuan lart rolin e rëndësishëm dhe moderator të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe ligjeve, të pavarësisë së institucioneve dhe në ruajtjen e ekuilibrave politikë në vend, vunë në dukje gjithashtu edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave.

Takimi me Metën

“Përmbushja hap pas hapi e rekomandimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është konsideruar si detyrë e rëndësishme e Shqipërisë dhe institucioneve të saj”, - ka qenë kjo garancia që ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u ka dhënë komisionerëve të KE-së. Në takimin që pati me ta ai shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat për në BE si dhe ecuria në procesin e liberalizimit të vizave janë tregues të drejtpërdrejtë të suksesit të reformave institucionale. Meta siguroi se klasa politike shqiptare do të jetë e aftë të tregojë pjekurinë e nevojshme politike.

Vizita e raporterëve

Vizita e raporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit Evropian, siç thanë atë, është një vizitë rutinë, për të shprehur gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të dhënë mbështetjen e saj për Shqipërinë në çështje me interes të përbashkët. Në fillim të vizitës së tyre ata u takuan me Kryetaren e Kuvendi, Jozefina Topalli, dhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kriston. Gjatë takimit me këtë të fundit ata u informuan lidhur me ecurinë e shqyrtimit të ligjit të lustracionit, i njohur si ligji dosjeve, pas vendimit për këtë çështje të Komisionit të Venecies.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›