Balla i kujton Berishës akuzat për bashkëpunëtorët
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste për të rrëzuar akuzat e kryeministrit Sali Berisha kundër saj përdor po akuzat e tij, por jo ato të sotmet, por ato të disa viteve më parë. Deputeti i PS-së, Taulant Balla, duke shkëputur shkrime gazetash ka kujtuar akuzat e Berishës të bëra në vite ndaj bashkëpunëtorit të tij, Ilir Meta, apo dhe ndaj Azem Hajdarit që kreu i ekzekutivit e quan pishtar të demokracisë. “Ja çfarë thoshte Sali Berisha për Ilir Metën pak vite më parë: “Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit, ky mbetet njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllavërisë së seksit, të fëmijëve të drogës dhe armëve”, - kujton ai. Madje, ai shtoi se Berisha për Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, pak vite më parë, akuzonte se mbi këta të dy rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas malit të Dajtit. Po kaq të rënda, pohon Balla, janë dhe akuzat e tij për Hajdarin. “Sipas Sali Berishës, Azem Hajdari mbetej një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, një shërbëtor i Ramiz Alisë. “Cili është dhe kujt i shërben në të vërtetë, z. Azem Hajdari”,- thotë Sali Berisha rreth vitit 95-96: Sipas tij: “Duke gjykuar mbi faktet e jo mbi fjalët kemi të drejtë të themi se kishim dy Azemë. Ai i mitingjeve që bënte gjëmën, kurse ai në jetë që bëhej mik me Irakli Koçollarin, e sigurimsa të tjerë, dehej sa nuk e kontrollonte se çnxirrte nga xhepat”.
Përsëri për Azem Hajdarin: “Azem Hajdari si Rita Marko”, - citon ligjvënësi socialist. Ai paralajmëron publikimin edhe të akuzave të Berishës ndaj Arben Imamit, Neritan Cekës apo Sabri Godos. “Ky njeri mbetet modeli i vetëm i politikanit në Shqipëri, që ku pështyn, lëpin”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009