Protesta përmbyllëse Rama: "Topalli, stalinistja e fundit në vend"
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste ka mbyllur dje protestat njëjavore para Kuvendit të Shqipërisë. Pankartat në duart e protestuesve, por dhe fjalët përmbyllëse të të gjithë deputetëve që morën fjalën, kërkonin hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit ose largimin e Sali Berishës. “Stalinisti i fundit nuk është Sali Berisha, por është Jozefina Topalli. Sali Berisha është Stalini i fundit”, - e ka nisur fjalën e tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i kujtuar Kryeministrit se vendi pret Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në një krizë ekonomike që fryhet përditë. Shefi i socialistëve ka akuzuar shefin e Qeverisë se po mashtron të përndjekurit politikë, të cilët janë hedhur në grevë, duke injoruar plotësisht kërkesat e tyre po ashtu po akuzon me pa të drejtë opozitën duke përdorur gjuhën e diktaturës. Më tej ai akuzoi kreun e Qeverisë dhe si përgjegjës për mosliberalizmin e vizave për shqiptarët si dhe ka përsëritur apelin drejtuar kryeministrit “pinok”, siç e quajti Rama, për të hapur kutitë ose të largohohet.
Protesta
Rama ka zgjedhur të listojë të përndjekurit të parët në listën e gjatë të shtesave që po dënohen ashpër nga kjo Qeveri. Gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, Rama tha se së bashku me ta, në qiell të hapur, ishin dhe të përndjekurit e regjimit komunist që kanë 27 vjet burg mbi shpinë. “Janë prej kohësh në një grevë urie. Në pritje të dikujt në pushtet që ti dëgjojë kërkesat e tyre të përsëritura prej 19 vjetësh. Por ky pushtet nuk ka veshë për të përndjekurit e regjimit komunist. As zemër për të qarë me ta sinqerisht halle të vjetra që sua zgjidh dot”, - tha ai. Sipas tij, komunisti i fundit në vend po çon vendin në rrugën e greminës politike dhe ekonomike. Ashtu si të përndjekurit, pohoi ai, janë gënjyer dhe gjithë shqiptarët të cilëve u kishte premtuar lëvizje të lirë. Madje, Rama ka ironizuar dhe me deklaratën e Metës, i cili pohoi se Shqipëria ka qenë gjithmonë e fundit në rajon për sa u përket proceseve integruese. “Ne protestojmë pasi jemi të fundit për nivel demokratik e për standarde zgjedhjesh, sepse kemi mbi kokë një kampion në shkeljen e Kushtetutës e në rrënimin e zgjedhjeve. Jemi të fundit për liri e të drejta njerëzish”, - tha ai. Rama renditi më tej si problem listat e gjata të blerësve në dyqane apo biznesmenët e vegjël që rrezikojnë të falimentojnë. “Sot kryeministri pinok i Shqipërisë bëri një tërheqje të imponuar nga presioni i kryetarëve të bashkive e komunave të opozitës lidhur me taksën e biznesit të vogël, e cila do të vazhdojë të mbetet një taksë vendore edhe për bizneset me mbi 5 milionë lekë”, - tha ai ndërsa pohoi se protesta e opozitës, ashtu si ajo e vendorëve, nuk do të ndalet. “Ne protestojmë duke i thënë kryeministrit pinok: hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e grabitur, po edhe vendimi i popullit sovran për një politikë të re për biznesin e vogël. Shqipëria që jeton jashtë oborrit të Familjes në Pushtet e ka të pamundur të festojë Krishtlindje e Vit të Ri”, - pohoi më tej ai. Kryesocialisti shtoi se në plot 110 mijë familje shërbëtorësh të shtetit do të mungojnë këtë herë dhuratat e përvitshme për fëmijët, sepse Berisha u shtoi atyre rrogat para zgjedhjeve dhe u mori mbrapsht shtesat në fund të vitit. Më tej ai kujtoi premtimin e Berishës për shërbim më të mirë mjekësor, për mosrritjen e çmimit të energjisë apo për politika në mbështetje të fermerëve premtime që sipas tij, Kryeministri nuk i mbajti. “Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet. Ky pushtet që e ka kthyer Parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Sali Berishës dhe ku Sali Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie të opozitës”, - tha ai. “Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Përderisa kutitë nuk hapen, ne sdo presim që Shqipëria të ribjerë në greminë, po do të protestojmë për të larguar qeverinë. 100 mijë ishim në 20 nëntor në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Edhe më shumë do të jemi pas Vitit të Ri kur protesta do të përshkallëzohet në të gjithë Shqipërinë. Deri në fund. Deri në largimin e Sali Berishës nga detyra që shpërdoron prej kohësh, duke u faturuar padrejtësisht shqiptarëve çmimin e papërballueshëm të Vitit të Ri 2010.
Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009