Idrizi: "Akuzat e Dules si të ekstremistëve grekë"
Autori i Lajmit: RedaksiaKryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, kundërshton deklaratat e Vangjel Dules kundër partisë që ai drejton. Sipas tij, Dule, pas disfatës elektorale dhe nevojës për të rifituar kolltukun e kryetarit, bëri disa aluzione negative për PDU-në. Idrizi shtoi se Dule foli për “objektiva fantazmë”, “për parti në koalicionin me Berishën, që janë të lidhura me të shkuarën”, “kundër integrimit evropian”, që protestojnë kundër Bashkimit Evropian,etj, etj. “Këto fjali provokative ndaj një partie të ligjshme shqiptare, me karakter kombëtar, janë dëshmi e krizës së këtij drejtuesi të PBDNJ-së. Kjo parti është shpallur si parti e të drejtave të njeriut, por pozicioni i Dules ngjan si i një ekstremisti grek. Ky drejtues, siç thonë në akuzat për njeri-tjetrin, nuk ka asnjë lidhje me interesat jetësorë të minoritetit vëlla grek”,- theksoi Idrizi. Këto qëndrime, vijoi ai, janë provokim i rëndë për komunitetin çam, mbështetësit kryesorë të PDU-së, por jo të vetmit. “Objektivat që shpall sistematikisht zoti Dule, janë qartësisht objektiva fantazmë, dmth larg realitetit dhe interesave jetësorë të minoritetit grek në Shqipëri. Ky minoritet gëzon një kuadër të shkëlqyer të drejtash dhe lirish njerëzore. Kurse objektivat e zotit Dule janë fantazmë, sepse këto objektiva nuk votohen. A nuk është kjo dëshmi e një krize përfaqësimi? Zoti Dule i ka ndërruar aleancat zgjedhore jo prej partisë së komunitetit çam, me të cilën ishte bashkë në zgjedhjet lokale të 2007, por për llogaritë e veta personale”,- theksoi Idrizi.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009