Gjoni: "Vendi në rrezik nga Al Kapone shqiptar"
Autori i Lajmit: RedaksiaDeputeti socialist Ilir Gjoni ka përdorur një tjetër kartë për të akuzuar Sali Berishën atë të korrupsionit familjar. Sipas tij, PS proteston kundër regjimit të korruptuar të familjes së Berishës, në mbrojtje të së drejtës sonë për të votuar në liri, së drejtës sonë për të parë si është numëruar vota jonë. “Protestojmë sot kundër këtij njeriu antishtet, i cili i vuri institucionet e shtetit në shërbim të pushtetit të trafiqeve të naftës e armëve duke thyer embargon ndaj Milosheviçit; ndaj këtij njeriu që vuri policinë dhe ushtrinë në 96-97 kundër popullit, që përdori SHIK-un për të goditur kundërshtarët, që sulmonte komisariatet e policisë dhe institucionet e shtetit”, - kujtoi Gjoni, ndërsa nuk kurseu as krahasimin e Berishës me Al Kaponen. “Më 1929 Al Kapone u shpall rrezik publik në SHBA, sot në 2009 populli e ka shpallur rrezik publik Al Kaponen e Shqipërisë”, - tha ai. Më tej Gjoni shtoi se Berisha po përdor policinë e shtetit për të luftuar për interesa private. “Ne sot protestojmë e solidarizohemi me ish-punonjësit e policisë, ata të burgjeve, ish-ushtarakët e veteranët e gjithë familjet e tyre për nëpërkëmbjen dhe poshtërimin që u bën Sali Berisha e Familja e tij, dhe u themi atyre: Mos e ulni kokën! Jini krenarë për punën dhe kontributin tuaj! Këmbanat po bien për këtë qeveri të korruptuar. Dinjiteti juaj do të kthehet në vend”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 22/12/2009