Godinë e re dhe mjete shtesë për zjarrfikësit e Rrogozhinës

TIRANË, 18 tetir /ATSH/ Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, ishte në Rrogozhinë, ku falënderoi punonjësit e shërbimit zjarrfikës për angazhimin gjatë sezonit veror.
Gjatë takimit, Balla foli për investimet e parashikuara për këtë shërbim, nga shtimi i mjeteve zjarrfikëse te ndërtimi i një godine të re.
“Një makinë e re zjarrfikëse ishte e domosdoshme, një tjetër besoj që do ta kemi brenda vitit të ardhshëm. Shpresoj shumë që në buxhetin e këtij viti do të kemi planifikuar edhe një rritje të pagave të punonjësve zjarrfikës”, tha Balla.
Balla theksoi se Rrogozhina ka një pozicion të rëndësishëm gjeografik, çka e bën të domosdoshëm forcimin e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës.
Krahas mjeteve të reja, Balla bëri të ditur se pritet të përgatitet projekti për godinën e re të shërbimit zjarrfikës dhe të shpëtimit.
“Besoj që do ta kemi gati projektin e godinës së re të shërbimit zjarrfikës të Rrogozhinës. Rrogozhina ka një pozicion të tillë gjeografik që stacioni zjarrfikës këtu është jetik dhe i domosdoshëm”, tha Balla.
Balla në fjalën e tij garantoi se riorganizimi i pushtetit vendor nuk do të cenojë funksionimin e këtij shërbimi, por synimi është forcimi i mëtejshëm i tij.
/gj.m/a.f/