Ballagat, fiton Sharka i PD-së
Ballagati tashmë ka një emër të ri në drejtimin e komunës, i cili doli nga zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara të dielën që lamë pas. Tashmë Komuna e Ballagatit do të drejtohet nga Sherbet Sharka, kandidat i PD-së. Ai kandidoi përballë kushëririt të vet, Neshat Sharka, përfaqësues i PS-së. Sherbet Sharka fitoi me 672 vota më shumë se kundërshtari i tij politik, duke marrë të drejtën e drejtimit të komunës deri në vitin 2011. Pas nxjerrjes së rezultateve të dy kushërinjtë që garuan kanë shtrënguar dorën, pasi do t‘u duhet të punojnë bashkë edhe për faktin se kandidati që humbi këto zgjedhje, Neshat Sharka, që prej 9 vjetësh punon në administratën e komunës, ku do të kthehet pas humbjes së zgjedhjeve të 2 gushtit. Sherbet Sharka është një biznesmen, që vjen rishtas në politik. Ndërsa kandidati i PS-së, Neshat Sharka, me profesion ekonomist prej 30 vjetësh, anëtar i PS-së, që prej 9 vjetësh është punonjës i administratës në Komunën Ballagat. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve vendore në Ballagat kanë dalë orët e para të mëngjesit të së hënës. Ato kanë treguar se Partia Demokratike ka fituar me një diferencë të madhe votash kundrejt Partisë Socialiste. Numërimi i kutive të votimit ka nisur rreth orës 21:15 të mbrëmjes së të dielës dhe përfundoi pas mesnate. Në të tetë qendrat e votimit që numëron kjo zonë, kutitë e të cilave janë përqendruar në KZAZ-në e vendosur në qendër të Komunës Ballagat, Partia Demokratike ka marrë një numër të madh votash. Sipas kryetarit të KZAZ-së mësohet se në votime morën pjesë 1448 zgjedhës ose 58% e votuesve. Përqindjen më të lartë të pjesëmarrësve në votime e kanë shënuar fshatrat Gjuzaj dhe Ballagat, ku mësohet se pjesëmarrja ka shkuar deri në 62% të numrit të përgjithshëm të shtetasve që gëzojnë të drejtën e votës. Procesi i numërimit ka ecur pa probleme dhe u krye brenda pesë orëve, si shkak i mosndërprerjes për asnjë moment të procesit dhe mospërfshirjes në debate të përfaqësuesve të forcave politike të ndryshme politike që merrnin pjesë në komisionin e numërimit. Për numërimin e fletëve të votimit nuk është përdorur metoda elektronike, për shkak të një vendimi të KQZ-së, e cila kishte vendosur që fletët e votimit t‘u tregoheshin përfaqësuesve të partive. Zgjedhjet në Ballagat erdhën pas pezullimit nga puna për "shpërdorim detyre", të një kushëri tjetër të dy kandidatëve që garuan të dielën e parë të muajit gusht.