E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Marrëveshja me PD-në për kodin. Ceka: Të ndryshojë

LSI-ja i bëri të ditur dje PD-së se duhet të respektojë marrëveshjen e bërë, duke nisur punën për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi se puna për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke mos lënë mënjanë as PS-në. Sipas tij, LSI-ja është për një sistem zgjedhor proporcional kombëtar, me një prag rreth 2 për qind. Për LSI-në, puna duhet të nisë menjëherë sapo të çelet sesioni i ri parlamentar javën e parë të shtatorit dhe duhet të bëhet një kod i cili të pasqyrojë realisht votën e shqiptarëve. Duke kritikuar Kodin aktual Zgjedhor, Valisi theksoi se "nuk i imponojmë dot shqiptarët të votojnë me formula të pavërteta. Nëse shqiptarët duhet të mendojnë se një parti duhet të ketë këtë përfaqësi në Parlament, ata duhet të jenë në Parlament". Duke pasur ide të qarta për atë çfarë kërkojnë të ndryshojnë në Kodin Zgjedhor, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, artikuloi edhe një herë sistemin zgjedhor që ata duan të vihet në zbatim në zgjedhjet e ardhshme. "Ne jemi për një sistem proporcional kombëtar, me një prag sa më të ulët, në sensin shumë pozitiv të fjalës, që të tërë ata që kanë një sasi votash dhe mund të përfaqësohen në Parlament, të përfaqësohen në Parlament. Pra një sistem i cili mund të jetë sa më afër realitetit shqiptar", është shprehur Vasili. Ai deklaroi se me anë të një sistemi të tillë votash nuk humbin dhe nuk dalin të pavlefshme mijëra e mijëra vota të zgjedhësve shqiptarë, ashtu siç ndodhi në këto zgjedhje që sapo mbyllëm. Për gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes kampeve politike, Vasili propozon diskutime në tryeza politike, ku thotë se mund të dalin edhe zgjidhje të tjera, pasi ka një larmishmëri sistemesh dhe për Shqipërinë mund të zgjidhet sistemi që i shkon më mirë për shtat dhe që është më pranë realitetit.

"Ne kemi pasur një prag tradicional që ishte te 2.5%, mund të ishte një prag normal, por edhe nëse do ishte 2%, nuk do të ishte ndonjë shqetësim i madh. Në fund të fundit, 2% e njerëzve që mbështesin një parti do të provojnë së paku realisht dy deputetë dhe nuk do të kishte asnjë arsye në botë që këta dy deputetë të përfaqësoheshin me mekanizma nga forca të tjera politike", u shpreh Vasili, duke theksuar më tej se paragjykimi i vetëm i LSI-së është që të realizohet një kod i mirë dhe për shqiptarët. Sipas tyre, formula e paraqitur nga dy partitë e mëdha, pra sistemi spanjoll për zgjedhjet e 28 qershorit, ishte një dështim total, pasi nuk kishte asnjë ngjashmëri me Shqipërinë dhe prodhoi një realitet elektoral fiktiv. Për krijimin e këtij realiteti elektoral fiktiv, LSI-ja bën përgjegjëse PS-në, e cila këmbënguli për të vënë në zbatim këtë lloj sistemi në zgjedhjet e 28 qershorit në vendin tonë, por pavarësisht kësaj, Vasili thekson se LSI-ja do t‘i lërë mënjanë paragjykimet dhe pranon që pjesë e diskutimeve për hartimin e kodit të ri duhet të jetë edhe PS-ja.

"Të gjithë bashkë duhet të biem dakord, nuk mendoj se duhet të ketë zgjidhje të njëanshme për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, duhet të punojmë që sa më parë të perfeksionojmë mekanizmin e zgjedhjeve, të kemi komisionerë të trajnuar, të kemi një administrimin sa më perfekt që funksionon në mënyrë automatike", u shpreh Vasili. Për të, puna duhet të nisë që tani, pasi zgjidhjet në momentet e fundit nuk japin asgjë të mirë dhe tashmë shembullin negativ e kanë në zgjedhjet e 28 qershorit, ku kodi u hartua dhe ndryshua pak muaj para datës së zgjedhjeve.

Deklarata

Ceka: Të ndryshohet Kodi Zgjedhor

Të vegjlit vihen në rresht për ndryshimin e Kodit Elektoral. Kreu i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, i është bashkuar republikanëve, LSI-së dhe PSD-së, në deklaratat për korrigjimin e Kodit Elektoral. Ndërhyrja e re në Kod kërkon gjithsej 84 vota, ndërsa në Kushtetutë 94 kartonë në Parlament. Menjëherë pasi Kryeministri Berisha ka lënë të hapur mundësinë për të rishikuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kërkesë e artikuluar nga aleati i saj më i ri, LSI, vijnë dhe propozimet e partive të vogla, të cilat dolën pa përfaqësim në Kuvend nga zgjedhjet e 28 qershorit. Aleancisti Neritan Ceka deklaroi se ajo çka duhet të ndryshojë ka të bëjë me sistemin, mënyrën e numërimit të votave dhe përbërjen e KZAZ madje dhe KQZ-së. Por të gjithë këtë nismë, Ceka e shikon të lidhur me Partinë Socialiste, e kushtëzuar edhe nga fakti se duhen 94 vota për të ndryshuar sistemin të sanksionuar në Kushtetutë. Ceka mendon se përfaqësimi politik nuk ishte ai i duhuri kur më shumë u favorizuan etnitë. Sipas Cekës këto zgjedhje nuk garantuan përfaqësim të gjerë politik dhe për më tepër një qeverisje të sigurt. Një ditë më parë, ishte një nga hartuesit e Kodit Elektoral nga kampi i PD-së, Oerd Bylykbashi, i cili hodhi në mënyrë zyrtare dritën jeshile për ndryshimin e kodit, por nga ana tjetër kërkoi edhe bashkëpunimin e Partisë Socialiste, pa votat e së cilës ndërhyrja në kod është e pamundur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›