Burrë e grua mbyten në ujërat e lumit Shkumbin
Sipas dëshmitarëve ka qenë gruaja 49-vjeçare e cila ka kërkuar ndihmën e të shoqit, pasi kishte rrëshqitur në një gur, ndërsa të dy kanë humbur jetën në tentativë për të shpëtuar njëri-tjetrin
Lushnjë Një çift të moshuarish kanë humbur tragjikisht jetën, në mesditën e së dielës. Ata janë mbytur në ujërat e lumit Shkumbin, duke shënuar kështu viktimat e radhës në mbytjet aksidentale për muajin korrik. Sojë Shehu, 49 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Rexhepi, 67 vjeç, banues në fshatin Sulzotaj, komuna Tërbuf, rrethi Lushnjë, janë dy viktimat që në mesditën e së dielës janë nxjerrë të pajetë nga ujërat e lumit Shkumbin prej forcave të policisë si dhe bashkëfshatarëve të tyre.
Ngjarja
Gjithçka zuri fill, kur të dy bashkëshortët pasi punuan në sipërfaqen e tokës pronë të tyre gjatë orëve të paradites, shkuan në ujërat e lumit për t’u freskuar nga i nxehti përvëlues.
Fillimisht në ujërat e lumit ka rënë gruaja, Soje. Kjo e fundit ka shkarë dhe në përpjekje për të dalë në breg të lumit është zhytur në thellësi. Në pamundësi për të notuar, ajo ka kërkuar ndihmën e bashkëshortit të saj. Ky i fundit, pasi ka kërkuar ndihmë prej bashkëfshatarëve, është zhytur me rroba në ujërat e lumit Shkumbin. Në përpjekje për të shpëtuar bashkëshorten, duke notuar në drejtim të saj, ka humbur ndjenjat duke u përpirë edhe ai prej vorbullës së ujit.
Askujt prej bashkëfshatarëve nuk u është besuar çfarë ndodhi. Fillimisht është menduar se bashkëshortët janë grindur me njëri-tjetrin dhe gjithçka ndodhi ishte pasojë e zënkës mes tyre. Por të tjerë dëshmitarë kanë deklaruar se ngjarja nuk ka patur në themel asnjë grindje apo sherr mes të moshuarve.
Dëshmitë
“Ata ishin duke punuar në pronën e tyre në bujqësi dhe për t’u freskuar i janë drejtuar ujit të lumit, në një vend që shërben për gjithë ne si vend ku futemi dhe freskohemi në lum për muajt e verës” kanë deklaruar disa nga dëshmitarët në vendngjarje. “Çifti shkonte shumë mirë dhe më duket se kjo dashuri nuk iu mohua deri në çastin kur ndërruan jetë për të shpëtuar njëri-tjetrin”, ka plotësuar një tjetër bashkëfshatar i tyre. Në vendngjarje ka mbërritur policia e rendit dhe grupi i ekspertëve. Burime nga këta të fundit kanë pohuar se trupat e viktimave janë nxjerrë disa qindra metra larg vendit të ngjarjes, në trupat e tyre nuk ka pasur shenja që mund të krijojnë pista të tjera për shkaqet e mbytjes dhe sipas këtyre burimeve mbytja është plotësisht aksidentale. Trupat e pajetë të dy viktimave janë dërguar me një autoambulancë në morgun e qytetit Lushnjë. Për më shumë se tri orë ata i janë nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore nga specialistët përkatës. Në përfundim të ekspertizës, është vërtetuar mbytja aksidentale e të moshuarve. Policia nga ana e saj paraprakisht ka deklaruar për ngjarjen e rëndë aksidentale. Para disa ditësh një fëmijë 14-vjeçar nga fshati Hekal i rrethit Mallakastër u mbyt duke u freskuar në ujërat e lumit Vjosë, në gropat e krijuara nga marrja e inerteve në këtë lum.