Balliu përkrah Bashës në fushatë në Elbasan
Fahri Balliu, i vënë së fundmi nën akuzë, pasi mediet kanë faktuar se ai është personi që ka ndërtuar Fabrikën e Vdekjes në Gërdec në bashkëpunim me Mihal Delijorgjin, vazhdon të bëjë fushatë në zonat e Elbasanit, në krah të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që është ngarkuar nga kryesia e PD si përgjegjës për këtë zonë.
Balliu, i cili ka humbur tri gara duke garuar nën siglën e PD, synon që të jetë sërish në listat zgjedhore pikërisht në Elbasan, ku dhe ka humbur dy prej garave. I lidhur ngushtë me ministrin e Jashtëm, Basha, ai e ka shoqëruar në takimet që po zhvillon në këtë zonë. Kësaj radhe, pas publikimit të skandaleve në media, Balliu nuk është shfaqur afër Bashës në tribunë, por më i distancuar. Para pak ditësh, gazeta “TemA” botoi të dhëna se baxhanaku i zotit Balliu, që punonte tek auditi i Ministrisë së Jashtme, ka kryer abuzime milionëshe, por ndaj tij nuk është marrë asnjë masë nga Basha. Balliu, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, është i përzier fort në aferën e Gërdecit, por dhe të tjera abuzime.