E Diel, 1 Nëntor 2026

“Berisha ëndërronte të ndryshonte historinë, por ka ndryshuar vetëm gjeografinë”

Nga Andrej Miholiç, “Delo”

Shënim

Intervista e publicistit Mero Baze është dhënë për të përditshmen sllovene “Delo”. Ajo është një nga gazetat më të mëdha në këtë vend me një tirazh prej 155 mijë kopjesh. E krijuar që në vitin 1959 nga shkrirja e dy gazetave, “Delo” sot boton një numër të madh suplementesh bashkë me edicionin e përditshëm. Intervista është publikuar në suplementin “Sobotna Priloga” (Suplementi i së shtunës), që përmban kryesisht komente nga opinionistët më të njohur dhe intervista të zgjeruara

Mero Baze është një nga emrat më të njohur të gazetarisë shqiptare. Me një përvojë të gjatë në shtypin postkomunist ai ka punuar më parë për Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë, derisa në vitin 1999 themeloi gazetën e tij “TemA”. Emri i tij është bërë i njohur vitin e fundit pas përplasjesh të forta me kryeministrin Berisha për shkak të qëndrimeve të tij tepër kritike për aferat korruptive të qeverisë.

Gazeta e tij u zbua me policë nga zyra, makina e tij u dogj para syve të familjes dhe e gjitha kjo alarmoi shtypin dhe institucionet ndërkombëtare që e shikonin këtë si një hakmarrje të kryeministrit ndaj tij.

Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Sa është e rëndësishme kjo ngjarje për Tiranën dhe ç’presin shqiptarët nga kjo?

Kjo ngjarje është e rëndësishme para së gjithash për kredibilitetin e Shqipërisë.

Nga aspekti politik nuk përbën ndonjë kapital të veçantë, pasi Shqipëria është njëri nga shtetet e rralla të rajonit, ku të gjitha partitë politike janë unike në mbështetjen për hyrjen në NATO. Nuk ka asnjë forcë politike dhe as ndonjë rezervë publike për anëtarësimin. Anëtarësimi në NATO shihet para së gjithash si shans për ndryshimin e pozicionit të vendit tonë në raport me fqinjët, ndërkaq shumë shqiptarë në këtë hap të madh shikojnë edhe një shkallë më të lartë të sigurisë. Jo se jemi të rrezikuar nga fqinjët, por duke pasur fqinj një shtet të ri si Kosova, të gjithë sjellim në mendje ndonjë acarim të ri të rrethanave atje dhe, kur kujtojmë se jemi vend i NATO-s, ndjehemi më të sigurt. Krahas kësaj, anëtarësimi në Aleancë shikohet dhe si hyrje në paradhomën e familjes evropiane dhe veçanërisht Bashkimit Evropian, prej nga shumica e shqiptarëve presin para së gjithash liberalizimin e regjimit të vizave dhe lirinë në kapërcimin e kufijve. Për dimensionet e tjera të këtij procesi, si dhe për detyrimet që duhet të plotësojnë, nuk janë aq të vëmendshëm.

Si do të ndikojë hyrja në NATO në pozicionin e Shqipërisë në rajon?

Duhet të jeni të vetëdijshëm se Shqipëria nuk është shtet i besueshëm dhe se nuk ka një imazh të lavdërueshëm sa i përket sigurisë dhe investimeve të huaja. Shumë sipërmarrës të huaj frikësohen që të investojnë në rajon nga mundësia e shpërthimit të mundshëm të dhunës në Kosovë, frikë kjo, e cila me hyrjen tonë në NATO do të zhduket.

Afrimi i vendit me BE po ecën shumë më ngadalë. Sipas mendimit tuaj, cilat janë pengesat kryesore në këtë rrugë?

Pengesa kryesore qëndron në të kaluarën e errët të vendit. Kemi kaluar komunizmin më të egër në Evropë dhe ende s’jemi ndarë nga mentaliteti i asaj kohe. Përveç kësaj, elita jonë politike nuk ka një vizion real për hyrjen në BE. Politikanët tanë e kanë thjesht retorikë hyrjen në BE, duke mos ditur se si ta realizojnë këtë. Ka spekulime të pafundme për këtë punë, siç është beteja e tanishme qesharake për të aplikuar një javë para zgjedhjeve, edhe pse të zotët e shtëpisë na thonë “s’jemi gati t’u mirëpresim, kështu siç jeni”. Pra, me integrimin në BE, thjesht bëhet propagandë dhe spekulohet politikisht. Ne nuk jemi ende një vend normal demokratik. Kemi probleme me respektimin e institucioneve të pavarura, sidomos drejtësisë, e cila është nën presion të pareshtur të politikanëve duke u ballafaquar kështu me probleme të shumta. Një problem tjetër shumë serioz është edhe korrupsioni, të cilin qeveritarët po e luftojnë vetëm me fjalë, por kurrsesi me vepra. Çështje të mëdha që kanë tronditur vendin, sapo kanë përfunduar në Gjykatë pas një kalvari sulmesh të qeverisë mbi prokurorinë. Ekonomia po ashtu nuk ka prodhuar dot një treg normal. Karakteristikë e ekonomisë është pesha e madhe që ka politika mbi të, një lloj monopolizimi i orientimit të zhvillimit ekonomik, gjë që po rrezikon lirinë e tregut. Shumë e përhapur është edhe ekonomia e zezë dhe ka një papunësi e lartë. Të gjitha këto po e ngadalësojnë rrugëtimin tonë drejt BE.

Një nga provat kryesore të pjekurisë së vendit për afrimin me BE është suksesi në zgjedhjet parlamentare të qershorit, pasi zgjedhjet e deritanishme asnjëherë nuk i kanë përmbushur standardet demokratike ndërkombëtare. Do të jetë kësaj here ndryshe? Është pjekur mjaft kultura politike në Shqipëri?

Me zgjedhjet kemi përvojë dhe traditë të hidhur, por procesi po përmirësohet hap pas hapi. Rrjedha e zgjedhjeve të viti 2005 ishte e pranueshme, pasi u shkua deri te ndërrimi i pushtetit në bazë të rezultateve zgjedhore të pranuara nga të gjitha partitë politike. Kishte edhe manipulime me sistemin zgjedhor, sepse këtë e mundësonte legjislacioni i atëhershëm, i cili tanimë është ndryshuar. Për këtë mendoj se nuk do të përsëritën të këtilla vështirësi. Zgjedhjet e qershorit do të jenë të parat ku do të aplikohet regjistri elektronik i zgjedhësve, gjë shumë me rëndësi, pasi në të kaluarën paraqiteshin probleme lidhur me regjistrimin e zgjedhësve. Ka ende problem me këtë regjistër, por është një proces progresiv që do na çojë përpara.

Përveç kësaj, të gjitha partitë politike janë të vetëdijshme se do të paguajmë një çmim të lartë, në rast se zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme. Kohët e fundit sistemi zgjedhor është ndryshuar plotësisht. Tani kemi sistemin proporcional rajonal, që shkon në favor të forcimit të pushtetit të partive. Shpresojmë se dy partitë më të mëdha (Partia Demokratike e Shqipërisë e kryeministrit Sali Berisha dhe Partia Socialiste e Shqipërisë, të cilën e udhëheq kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama), kësaj here në regjistrat e tyre të kandidatëve do të rreshtojnë njerëz të aftë, politikanë profesionistë dhe emra të njohur publikë, të cilët nuk do të jenë të lidhur drejtpërdrejt me botën afariste apo të kenë kontakte me nëntokën e krimit. Shansin e kanë që të shkëputen nga njerëzit problematikë. Nëse nuk e bëjnë, do të thotë se janë produkt i tyre. Ka shenja se disa emra do të rishfaqen sërish dhe kjo do të njollosë vullnetin politik të këtyre liderëve për ndryshimin e Shqipërisë.

Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit për rrugën e Shqipërisë drejt BE midis problemeve kryesore ka theksuar problemin e korrupsionit. Sa është e përhapur kjo dukuri në Shqipëri dhe në ç’nivele është e pranishme?

Problemi më i madh, i cili krijon korrupsionin, është monopolizimi i zhvillimit të vendit te një qendër pushteti ose, thënë më thjesht, te një familje në pushtet. Shkalla e lirisë së tregut është shumë e ulët, ndërkohë që bota afariste është e lidhur mjaft ngushtë me politikën. Për këtë arsye qeveria ka një ndikim të madh në ekonomi, ndërkaq korrupsioni është shumë i përhapur.

Kryeministri Berisha ka një superpushtet në orientimin e zhvillimit të vendit, pasi po orienton zhvillimin e ekonomisë përmes koncesioneve. Ka krijuar një treg formal koncesionesh dhe po vepron me të. Me fjalë duket se është një nga luftëtarët e mëdhenj antikorrupsion, por në fakt ai thjesht e kontrollon korrupsionin nga lart dhe në njëfarë mënyre e licencon atë në mënyrë selektive. Familja e tij është e implikuar në shumë veprimtari lobiste në ekonominë e vendit. Përmes saj është rruga më e lehtë për të pasur akses në çdo lloj privatizimi, licence apo koncesioni në Shqipëri. Nëse je i huaj dhe dëshiron të bësh biznes në Shqipëri, duhet që të kesh akses te kryeministri. Ende nuk ia kemi arritur asaj dite të bëjmë biznes pa leje politike. Pa leje politike thjesht mund ta regjistrosh biznesin, por ditën e dytë nuk bën dot asnjë punë, nëse lidhjet nuk funksionojnë, nga studiot ligjore deri te zyra e kryeministrit. Qeveria po përpiqet të shesë si luftë kundër korrupsionit luftën që i bën korrupsionit në nivele të ulëta. Shpesh shfaqen në ekrane të dyshuar që kanë vjedhur 50 euro apo policë që kanë marrë bakshish 10 euro, por peshqit e mëdhenj janë të lirë. Nga ana tjetër, nuk po ndërmerr masa strukturore, të cilat janë të duhura për ta luftuar këtë problem në nivelet e larta.

Korrupsionin duhet ta luftosh përmes ligjeve dhe reformave, ku gjëja më kryesore është që ekonomisë t´i garantosh liri dhe ta shpëtosh nga lidhjet me politikën.

Duhet të bëjmë modernizimin e institucioneve shtetërore dhe të mundësojmë ndjekjen penale të veprimtarive të korruptuara.

Krimi i organizuar shqiptar në Evropë ka arritur një famë ogurzezë. Ǵrrezik serioz paraqet ai për shtetin tuaj? A mund t´ia dalin përballë tij policia dhe drejtësia?

Shpresoj që krimi i organizuar të mos bëhet pasaporta e Shqipërisë. Krimi i organizuar në Shqipëri nuk është përfytyrimi që ka për të shumëkush jashtë vendit. Disa nga organizatat më të mëdha të krimit nga e kaluara janë shkatërruar dhe mendoj se kjo ka bërë që kriminalizimi i vendit të orientohet në fusha të tjera, në krimin ekonomik dhe financiar, madje edhe niveli i bashkëfinancimit të tij është ngritur.

Sot, Shqipëria ka më pak krim të organizuar ordiner, dhe forma të tjera të krimit krahasuar me të kaluarën, si vrasje, gjobëvënie apo hakmarrje në rrugë. Nga ky

aspekt është përpara disa shteteve të rajonit, edhe para Serbisë p.sh. Kriminelët tanë tashmë janë bërë investitorë.

Shqipëria është akoma njëri nga shtetet më të varfra evropiane. Sipas mendimit tuaj, ku fshihen shanset më të mëdha për zvogëlimin e prapambetjes ekonomike në krahasim me shtetet e tjera evropiane?

Aktualisht po zhvillohet një debat i madh se si të shfrytëzohen potencialet shqiptare. E vërtetë është se Shqipëria është një shtet i varfër, por assesi nuk është aq e varfër sa mendojnë disa. Ekzistojnë dy kahe të përsiatjeve lidhur me zhvillimin e ardhshëm ekonomik të shtetit.

Njëra mbron zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e mjedisit duke respektuar faktin se Shqipëria është shtet i vogël dhe se kjo është një mënyrë e sigurt e investimit, gjë e cila do t’i bindë që të kthehen në atdhe dhe të punësohen një numër i madh i shqiptarëve, të cilët aktualisht bukën e gojës e sigurojnë në punë jashtë shtetit. Krahu tjetër, i cili aktualisht ka shumicën, më bën të dyshoj, pasi Shqipërinë po e shndërron në një magnet për investime problematike, siç janë, bie fjala, ndërtimi i termocentraleve, fabrikave të çimentos dhe projekteve të tjera të kontestuara nga pikëpamja ekologjike. Ky lloj tregu i ri është prodhuar për të fuqizuar pushtetin ekonomik të kryeministrit dhe ndikimin e tij mbi zhvillimin e vendit. Është një ëndërr e vjetër etatiste e tij që të lërë gjurmë në histori, dhe sidomos të ndryshonte historinë e tij, por në fakt thjesht po lë gjurmë në gjeografi, duke na e prishur edhe atë. Licencat, lidhur me këto projekte, po ndahen nën kontrollin e tij dhe familjes së tij, pa ndonjë përmbajtje, e cila do të dëshmonte koncepte të qarta ekonomike. Nuk ka një përsiatje të matur për çfarë po bëhet dhe po i hapet rruga investimeve problematike, të cilat nuk lejohen në shtetet e tjera.

Bie fjala, projektet, të cilat janë të ndaluara në Itali, eksportohen te ne. Një TEC që do të ndërtohet në Durrës ka nevojë të djegë rreth 10 mijë tonë qymyr në ditë, çka do të thotë se Durrësi dhe Tirana do të fillojnë të jetojnë nën smog dhe plazhi më produktiv i Shqipërisë do të dalë jashtë loje. Kryeministri po ashtu ka ndarë kohët e fundit nëntë licenca për ngritjen e nëntë fabrikave të çimentos, që do t´i ndërtojnë në bregdetin shqiptar, nga Kruja në Shkodër, pra në rreth 100 km. Kështu, Shqipërinë do ta shndërrojnë në një vend të papërshtatshëm për të jetuar. Në dy portet më të mëdha shqiptare, në Durrës dhe Vlorë, po ngrihen termocentralet, të cilat, pa dyshim do të ndikojnë në mënyrë shkatërrimtare në mjedise, për të cilat ekzistonte mundësia që të shfrytëzoheshin për zhvillimin e turizmit. Kryeministri pohon se me to do fitojmë miliona dollarë, por në fakt me to do ta humbim shansin që Shqipëria të shndërrohet në një vend turistik, dhe kam frikë se nuk do të jetë më as një vend i banueshëm. Një zhvillim i këtillë do të na shkaktojë shumë probleme. Edhe një ide krejt e marrë e njëkohësisht edhe e frikshme e kryeministrit është ndërtimi i centralit atomik në një vend që është i njohur për standarde pasigurie në çdo aspekt. Një orientim i tillë i zhvillimit është problematik. Me këtë mund të arrihet shpejt deri te paratë, por njëkohësisht po kaq shpejt do të mbërrihet dhe te problemet.

Sa e rëndësishme është sot diaspora shqiptare për ekonominë e shtetit amë?

Diaspora e re është shumë e rëndësishme. Shumica e mërgimtarëve jetojnë dhe punojnë në Itali e Greqi. Këta përfaqësojnë një të tretën e fuqisë së tërësishme punëtore shqiptare dhe kontribuojnë me pjesën më të madhe të të ardhurave në shtet. Gati secila familje shqiptare ka dikë jashtë vendit. Kjo është njëra nga arsyet kryesore që në Shqipëri nuk mbizotëron varfëria. Mirëpo, kriza financiare, e cila ka kapluar shtetet e Perëndimit, së pari do t’i godasë emigrantët, për këtë edhe do të zvogëlohen të ardhurat e tyre, gjë të cilën tashmë po e ndjejmë në Shqipëri edhe përmes shfuqizimit të valutës kombëtare, lekut.

Përkundër faktit se Lufta e Ftohtë e bashkë me të edhe izolimi ndërkombëtar i Shqipërisë tanimë ka marrë fund, duket sikur lajmet (sidomos ato pozitive) nga vendi juaj akoma depërtojnë me vështirësi jashtë vendit. Sipas mendimit tuaj, kush është fajtor për këtë?

Së pari, për ne gazetarët lajmet e mira nuk janë gjithmonë lajme. Për të arritur lajmet e mira nga vendi im jashtë Shqipërisë duhet që Shqipëria të bëjë diçka të jashtëzakonshme pozitive për imazhin e vet, për shembull, të zhvillojë turizmin, të garantojë një rritje ekonomike dhe të tregojë stabilitet politik.

Tanimë Shqipëria po përpiqet për këto gjëra, por jo në atë masë që të përbëjnë lajm.

Hëpërhë akoma nuk ka bërë mjaft gjëra pozitive, në mënyrë që të ketë sukses për ta ndryshuar përfytyrimin negativ që kanë vendet e tjera për Shqipërinë, edhe pse nga ana tjetër nuk ka bërë asgjë veçanërisht të keqe për t´i forcuar lajmet dhe paragjykimet për të.

Cili është ndikimi i Shqipërisë në sigurinë rajonale në Ballkanin Perëndimor? Është Tirana pjesë e problemit apo e zgjidhjes?

Pa mëdyshje është pjesë e zgjidhjes, gjë të cilën midis tjerash po e vërteton edhe roli i saj në zgjidhjen e krizës kosovare. Pushteti shqiptar as që ka provuar që të ndikojë në elitën e atjeshme politike, por bëjnë përpjekje që të bashkëpunojnë me të në nivel të të dy shteteve si fqinjë. Dhe kjo është gjë e mirë, pasi të dy vendeve u mjaftojnë problemet e tyre. Me Kosovën kemi raporte të mira dhe të gërshetuara mirë në shumë nivele, kështu që, sikur të përziheshim në rrethanat e atjeshme, atëherë do eksportonim problemet tona. Për këtë është më mirë që të jemi paksa në distancë nga Prishtina.

Si i vlerësoni rrethanat politike dhe të sigurisë në Kosovë një vit pas shpalljes së pavarësisë së krahinës?

Mendoj se, si një shtet i ri po funksionon goxha me siguri, mirëpo nga ana tjetër akoma nuk mund të flasim për një shtet të konsoliduar krejtësisht. Kosova ka problemet e saj specifike dhe njëri nga problemet më të mëdha është krimi i organizuar, pasi elitat politike dhe organizatat kriminale janë të lidhura goxha ngushtë, pak a shumë si ato në Serbi. Nga ky këndvështrim paraqesin një problem të madh lidhjet e politikës me disa segmente nga ata që flasin në emër të luftëtarëve të dikurshëm të UÇK. Kështu që politikanët e rinj kosovarë duhet të gjejnë forca të mjaftueshme për t´iu kundërvënë kësaj simbioze dhe për të ndërtuar një shtet juridik. Problemi më i madh i Kosovës sot është pikërisht krimi i organizuar dhe jo Serbia apo dikush tjetër. Krimi i organizuar dhe korrupsioni mund ta dobësojnë shtetin dhe ta shndërrojnë atë në një republikë bananesh.

Po për rrethanat në IRJ të Maqedonisë? Duket se tensionet midis shumicës së atjeshme të popullatës dhe minoritetit shqiptar, përkundër ca përmirësimeve, sikur nuk duan të zhduken plotësisht.

Ky konflikt nuk është ashtu siç duket. Në fakt, maqedonasit dhe shqiptarët bashkëpunojnë mirë në rrafshin politik, pasi maqedonasit kanë filluar të vetë-ndërgjegjësohen se edhe shqiptarët janë pjesë përbërëse e shtetit. Nga ana tjetër, shqiptarët e Maqedonisë kanë probleme me elitën e tyre politike, e cila, në vend që të përfaqësojë interesat e tyre, vepron para së gjithash me standarde të ulëta politike dhe kulturore. Përfaqësues të saj janë të lidhur edhe me krimin e organizuar. Ata janë bërë shpesh objekt kritikash ndërkombëtare për ndërhyrje në procesin zgjedhor. Të them sinqerisht shpesh ndjehem i turpëruar nga veprimet e tyre. Udhëheqësit politikë të shqiptarëve atje po sillen si prijës fisesh, si udhëheqës krahinorë dhe jo si përfaqësues të shqiptarëve, problemet e të cilëve duhet t’i artikulojnë dhe zgjidhin politikisht. Në vend që hendeku midis shqiptarëve dhe maqedonasve të zvogëlohet, veprime të tilla vetëm sa e rrisin atë. Këta politikanë ekzistencën e sigurojnë përmes konflikteve dhe jo përmes paqes. Midis tyre ka edhe elemente konstruktive, të cilët hëpërhë nuk janë forcë e madhe. Një problem të veçantë në këtë mes paraqet edhe niveli relativisht i ulët arsimor i shqiptarëve të Maqedonisë, pasi pa një përmirësim të sistemit shkollor, nuk do të ketë sukses, që të krijohet një elitë politike më e mirë.

Sa mbështetës ka ideja e krijimit të Shqipërisë së Madhe dhe cilët janë ata? Mendoni se kjo ide është e realizueshme?

Ideja për Shqipërinë e Madhe nuk ka mbështetës. Nëse i anketon shqiptarët kudo që jetojnë për këtë, e shikon qartë se kjo nuk përbën një prioritet për ta. Edhe në Kosovë, numri i njerëzve që do ta mbështesnin bashkimin me Shqipërinë është gjithnjë e më i vogël. Partitë politike në Shqipëri, të cilat në programin e tyre mbështesin idenë e Shqipërisë së Madhe, në zgjedhje fitojnë më pak se një për qind të përkrahjes. Disa nga ata, të cilët kanë mbështetur këtë ide, nuk kanë mbledhur as njëqind vota. Mendoj se shoqëria shqiptare nuk është tokë pjellore për të tilla ide. Nëse në të ardhmen do të zhvillohen gjërat në drejtimin e duhur, bashkëpunimi në Ballkan do të forcohet, ndërkaq kufijtë mes shteteve me kohë do të bëhen të padukshëm. Mirëpo, ideja e bashkimit të gjithë shqiptarëve në një shtet nuk është realiste, pasi vetë shoqëria shqiptare brenda Shqipërisë është e ndarë në masë të madhe.

Si i përshkruani raportet midis shqiptarëve në Shqipëri dhe shqiptarëve në shtetet fqinje?

Raportet në nivel personal dhe shtetëror janë të mira, mirëpo në disa aspekte të tjera janë në njëfarë krize të vogël. Nëse p.sh., shohim ekonominë, mund të konstatojmë se Kosova tregton me Shqipërinë vetëm pesë për qind të tregtisë me shtetet e huaja. Pra, vetëm fakti që i takojmë një kombi, nuk na sjell përparësi ekonomike. Nga tërë tregtia e jashtme që bën Kosova, 60 për qind e bën me Serbinë. Për këtë ekzistojnë arsye të shumta, midis tjerash është edhe infrastruktura rrugore e mangët, intensiteti shumë i ulët i tregtisë përtej kufitare midis njerëzve dhe fakti se biznesmenët akoma ngurojnë që të investojnë në anën tjetër të kufirit. Nga aspekti i përkatësisë etnike ekziston dëshira për një gjë të tillë, por nuk po jetësohet në praktikë. Kështu, shumë shqiptarë më tepër investojnë në Greqi dhe në shtete tjera të rajonit sesa në Kosovë.

Cilat janë sot raportet midis Tiranës dhe Beogradit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Shqipëria akoma qëndron në marrëdhënie të ftohta me Beogradin, sepse nuk do që t’i rrezikojë raportet e veta me Kosovën. Në fakt, marrëdhëniet shqiptaro-serbe as që ekzistojnë në praktikë, pasi midis shteteve nuk ka kurrfarë këmbimi tregtar, ndërkohë që as biznesmenët serbë nuk tregojnë ndonjë interes që të investojnë në Shqipëri. Shanset për bashkëpunim, midis të tjerash, mund të jenë në turizëm, pasi shteti ynë në të ardhmen mund të shndërrohet në një destinacion turistik për turistët serbë. Këtu nuk ekzistojnë pengesat psikologjike për një gjë të tillë.

Po cilat janë raportet me fqinjët e tjerë?

Raportet me Malin e Zi janë të mira, po ashtu edhe me Greqinë, përkundër vështirësive nga e kaluara.

Shqipëria është një aleate e ngushtë e SHBA. Ku duhen kërkuar themelet e kësaj miqësie?

Kjo miqësi buron që nga koha e lindjes së shtetit shqiptar, ku rol kryesor në shpëtimin e integritetit të mbetur të Shqipërisë ka luajtur presidenti Wilson. Për këtë është i vetëdijshëm çdo shqiptar. Përveç kësaj, Shqipëria shtrihet në një rajon, i cili tradicionalisht është nën ndikimin e Rusisë, për këtë arsye bashkëpunimin me SHBA e kuptojmë si njëfarë ombrelle mbrojtëse. Por besoj se ka dhe një faktor psikologjik që lidhet me kombin shqiptar, që synon gjithmonë të lidhet me më të fortët. Edhe në situata të këqija, ky komb ka synuar të fortët. Brenda shekullit të kaluar ky vend ka pasur miqësi ekskluzive me tri superfuqi, me rusët, kinezët dhe amerikanët.

Pas rënies së komunizmit këtu u përqafua Amerika si model dhe burim i demokracisë. Roli i SHBA në ngjarjet e Kosovës vetëm sa e forcoi simpatinë ndaj tyre. Shqipëria është njëri nga shtetet më pro-amerikane pa asnjë kusht në Evropë. Madje, edhe presidenti amerikan, George Bush, në pikën më të ulët të popullaritetit të tij në SHBA, në Shqipëri u prit si hero. E di që kjo pritet me humor nga shumë njerëz, por këtu është diçka e sinqertë që duhet marrë si e tillë.

Kohëve të fundit, si drejtor i së përditshmes “TemA” jeni gjendur në qendër të vëmendjes së opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar, pasi qeveria, edhe përkundër një vendimi të gjykatës, ju përzuri nga ambientet tuaja. Çfarë fshihet në sfondin e kësaj përplasjeje?

Sikur ta thjeshtoja gjithë këtë zhurmë, thjesht do të thosha se gazeta “TemA” është një gazetë kritike, mirëpo nuk jemi të përfshirë në luftën politike këtu. Natyrisht që kritikat të pozicionojnë në këtë rast kundër qeverisë, por ne kemi qenë aleatë me këtë shumicë dhe kemi dhënë shumë ndihmesë që të vinte në pushtet. Megjithëse historia jonë është e tëra një histori kritike me qeveritë e këtij vendi, ne nuk e kemi këtë qëllim në vetvete. Thjesht duke bërë punën tonë si gazetarë gjendemi në barrikada të ndryshme me kryeministrat dhe zyrtarët e korruptuar. Kështu na ka ndodhur me qeveritë e mëparshme socialiste, të cilët na mbajnë ende mëri, kështu po na ndodh dhe me këtë kryeministër. Ishim të parët që zbuluam përzierjen e djalit të kryeministrit në lobimin për një kontratë demontimi fishekësh, që çoi në fund në një bilanc tragjik, ku u vranë 26 vetë, u shkaktuan miliona euro dëme materiale në fshatin Gërdec afër Tiranës vitin e kaluar. Zbuluam veprimtarinë e sekserit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, me anëtarët e familjes së kryeministrit, veçanërisht me vajzën e tij, studioja e së cilës sillet praktikisht si pronare e biznesit të Fazlliçit. Ky biznesmen, që shumë shqiptarëve iu duket qesharak, në të vërtetë thjesht po përdoret si maskë për bizneset e njerëzve të kryeministrit. Ai na ka shitur energji elektrike, ka përfituar nga lidhjet me kryeministrin për biznese preferenciale dhe hapësira ku do të ndërtohen parqe energjitike. Është rasti klasik i kapjes së shtetit nga mafia. Ishim ndër të parët që tërhoqëm vërejtjen edhe në korrupsionin te projekti i ndërtimit të njërit prej segmenteve të autostradës, e cila do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Një segment i

saj prej 60 km po kushton rreth 20 milionë euro kilometri, kurse 70 km e tjera të kësaj rruge po shkojnë me kosto mesatare 4 milionë euro kilometri. Pra, brenda së njëjtës rrugë, në një segment të prokuruar jashtë ligjeve të shtetit tonë, kemi një kosto pesë herë më të lartë. Është kostoja që po i paguajmë mungesës së shtetit ligjor dhe përdorimit të patriotizmit si arsye për të vjedhur. Krejt kjo ka bërë që tani të ballafaqohemi me këto vështirësi e që një pjesë e qeverisë vendosi t´i qërojë hesapet me ne. Më dogjën makinën para syve të djalit tim, para pallatit ku banoj dhe u tallën në mënyrë cinike me këtë akt primitiv, duke thënë se u vetëndez nga një kontakt fals. Policia ka dy muaj që më pamundëson hyrjen në zyrat, në të cilat jam pronar për 20 vjet, sipas ligjeve të shtetit shqiptar. Shtypshkronja e gazetës është bllokuar dhe kompania po shkon drejt falimentimit financiar. Gazeta del në ilegalitet, pa zyrë dhe adresë fikse. Ndaj njerëzve të familjes sime është ushtruar terror psikologjik duke u çuar fadromat para shtëpisë për t’ua prishur, edhe pse i kanë me leje. Të gjitha këto ilustrojnë raportet e shtetit me medien kritike në një vend si ky i yni.

Si e vlerësoni gjendjen aktuale në fushën e lirisë së medieve në Shqipëri?

Situata nuk është aq rozë sa paraqitet. Liria e medies këtu ka shumë rreziqe. Lufta e qeverisë është një prej tyre. Por paqja e saj është më e rrezikshme. Një problem i veçantë janë pronarët e medieve, të cilët në shumicën e rasteve dalin nga sektori i ndërtimit, interesi i të cilëve përkon me interesin e qeverisë. Por në perspektivë unë shikoj si problem të madh, madje shumë të rëndë, nivelin e ulët profesional të gazetarëve. Në treg është paraqitur një numër shumë i madh gazetash dhe stacionesh televizive, të cilat kanë rritur inflacionin e këtij profesioni të respektuar dhe kanë thyer standardet minimale të vlerave gazetareske. Mediet serioze i numërojnë me gishta gazetarët seriozë me emër. Ka një ushtri reporterësh të rinj, që po stimulohen të mos mendojnë, të mos gërmojnë në histori, të mos shikojnë të ardhmen. Thjesht po robotizojnë gazetarinë, duke i zëvendësuar figurat e gazetarëve me manekinë. Po shkatërrojnë debatin publik, duke thirrur përballë mafiozëve, njerëz nga OJQ ose universitetet duke i paraqitur si gazetarë, thjesht që të thuhet se ballafaqimi u bë. Liderët politikë po kthehen në kryeredaktorë televizionesh duke diktuar pjesëmarrjet në debate dhe duke dobësuar debatin publik përmes preferencave për gazetarë që kanë vendosur ta mbyllin këtë jetë pa menduar asgjë me kokë të tyre. Në këtë terren dëshpërues, për fat kemi disa gazetarë cilësorë dhe mendoj se tani për tani janë pasuria e vetme e shtypit shqiptar. Ata janë të shpërndarë në disa media dhe përpiqen të mbajnë gjallë kauzën e gazetarëve. Janë ata që paraqesin kërcënimin kryesor si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën.

Shqipëroi: Abedin Maliqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›