Qeveria jep pa tender licencën e katërt celulare për konsorciumin e Fazlliçit
Qeveria shqiptare ka vendosur që të japë licencën e operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme pa zhvilluar tender.
Tenderi për dhënien e kësaj licence ka dështuar, por kjo nuk e ka penguar qeverinë që t’i kërkojë parlamentit që t’i hapë dritën jeshile konsorciumit që ka ngritur Postë-Telekomi i Kosovës për marrjen e kësaj licence.
Tenderi ishte anuluar nga Enti Rregullator i Telefonisë, që edhe zhvilloi tenderin për shkak se asnjë nga firmat nuk arriti që të plotësojë kriteret e vendosura.
Kjo nuk e ka penguar qeverinë që të shpallë fituese dhe t’i japë licencën Postë- Telekomunikacionit, Kosovë (PTK) që përfaqëson kompanitë Union Grup, Infosoft, Albania Drink Distribution, ACI Engineering sh.p.k. Bashkimi i tyre ofroi 7.2 milionë euro për licencën e telefonisë së katërt celulare në Shqipëri.
Vendimi i Këshillit të Ministrave ka mbërritur në Kuvend, ku dhe pritet të kalojë në komisionet përkatëse e më pas në seancën plenare për miratim.
Në relacionin që shoqëron kërkesën e qeverisë theksohet se edhe pse pati shumë interes nga kompani të ndryshme për tenderin e licencimit të operatorit të katërt, ditën e tenderit u paraqitën vetëm 2 bashkime ofertuesish, PTK me 4 kompanitë shqiptare, si dhe Universal PG. Oferta e shpallur nga Universal PG u shpall direkt e pavlefshme, pasi nuk plotësoi kushtet për dokumentacionin standard sipas ERT.
Në këtë rast oferta e Postë-Telekomunikacion Kosova me 7.2 milionë euro edhe pse rezultoi me ekonomike, nuk mund të shpallej fituese pasi sipas procedurave të prokurimit publik dhe rregullave të prokurimit përcaktohet se një garë është e suksesshme kur numri i ofertave konkurruese duhet të jetë më shumë se numri i frekuencave, që do të thotë se numri i garuesve duhet të ishte domosdoshmërisht 2 kompani.
Por qeveria nuk e merr parasysh këtë fakt dhe i kërkon parlamentit që t’i japë në përdorim frekuencën për 15 vjet bashkimit të ofertuesve përfaqësuar nga Posta e Kosovës. Qeveria argumenton se konsorciumi i shpallur fitues jep ofertën më të mirë për tarifën e bisedës së telefonisë mobile.
Qeveria argumenton se “një vonesë në licencimin e operatorit të 4 do të shkaktonte humbje në ekonomi, pasi edhe pas licencimit të operatorit të tretë, Eagle Mobile, çmimet mbeten ende të larta”.
Lidhjet me Fazlliçin
Në këtë tender shfaqet sërish hija e Damir Fazlliçit, sekserit serbo-boshnjak të kryeministrit Sali Berisha.
Mediet kosovare kanë denoncuar skandalin. Sipas tyre, pronari i “Delta Holding”, Mirosllav Mishkoviç, është pas konsorciumit që ka ngritur Posta e Kosovës, dhe që ka paraqitur ofertën prej 7.2 milionë eurosh për këtë licencë. Në garë nuk kishte ndonjë emër të njohur të kompanive celulare ndërkombëtare, ndërsa mediet e Kosovës kanë vijuar hetimin për Mishkoviçin, të cilin gazeta “TemA” e ka denoncuar si të lidhur me Damir Fazlliçin, madje ka botuar dhe të dhëna për këtë.
Mishkoviç ka blerë rrjetin Euromax në Shqipëri dhe përmes këtij rrjeti tenton të bëjë konsorcium me Postën e Kosovës.
Skandali është denoncuar dhe në parlamentin shqiptar. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, tha se privatizimet në Shqipëri po bëhen në mënyrë skandaloze.
“Një mori gazetash kosovare, artikujt e cilave i kam këtu, këto ditë bëjnë me dije pikërisht elementë për këtë çështje, për këtë po ju them që të listuar në atë kompani që është paraqitur e para në tender janë 5 klientë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, mes të cilëve asnjëri i marrë më parë me veprimtari të telefonisë celulare dhe mbi të gjitha njëri prej tyre është kompani shitjesh pijesh energjike ose pijesh alkoolike në Shqipëri dhe në Ballkan”, - tha Braçe.
Gazeta “TemA” botoi para disa kohësh një intervistë të ish-ndihmësit të kryeministrit Xhinxhiç, Vladimir Popoviç, që akuzonte Damir Fazlliçin për lidhje me biznesmenin serb, Mirosllav Mishkoviç.
“Mishkoviç është padyshim njëri nga pronarët më të mëdhenj dhe më me ndikim në Serbi, është pronar absolut, por nuk do mend se nuk është i vetmi. Me të jam marrë më së shumti, ngaqë askush nuk ka pasur guxim të thotë asnjë fjalë të vetme kundër tij, ndërkohë që ai veten e quan shtyllë të ekonomisë së Serbisë. Aty, megjithatë janë edhe tregtarët e tjerë të “mallrave me akcizë”, si Pero Matiçi nga Benkovci, të cilin Mirko Marijanoviç dhe UDB serbe e kishin shndërruar në njeriun më të pasur në Ballkan. Është aty edhe Dushan Zabunoviç, pronari i firmës MPS, dhe bashkëpunëtori i dikurshëm i Marko Millosheviçit, sot është pronar i hotelit në Beograd, për të cilin ka dëgjuar e gjithë bota, ngaqë në njërën prej dhomave mban portretin e Hitlerit. Ka aty edhe kriminelë klasikë si Predrag Rankoviç Peconiju. Natyrisht, aty hyjnë edhe “biznesmenët” e dashur të Koshtunicës, Vuk Hamoviç dhe Vojin Lazareviç”, - theksonte Popoviç.
“Vojin Lazareviç u pasurua nëpërmjet kumbarit së tij, Aleksandër Nikitoviç, shefit aktual të kabinetit të Vojislav Koshtunicës, që në kohën e ardhjes së Koshtunicës në pushtet ishte zëvendës i shefit të kabinetit - i monstruozes Lilana Nedeljkoviç. Vuk Hamoviç përveç kësaj ka dëshmuar afërsinë me kabinetin e Koshtunicës edhe nëpërmjet Vladet Jankoviçit, ambasador i atëhershëm e Serbisë e Malit të Zi në Londër, përkatësisht shoqërimit të bashkëshorteve të tyre. Monopoli në eksportin e korrentit, shitjes së naftës dhe i lëndëve tëtjera të energjisë janë konfirmim shtesë i marrëdhënieve financiare me Mlagjan Dinkiçin, guvernatorin e atëhershëm, i cili i transferonte rezervat e devizave në bankën e tyre Euroaksis në Moskë, mjete këto që i kishin marrë nga njerëz të Millosheviçit menjëherë pas 5 tetorit”, - thotë më tej Popoviç.
I pyetur se çfarë e lidh Damir Fazlliçin me Miroslav Mishkoviçin, ai thotë: “Nëntoka, kriminaliteti, shërbimet sekrete, Tijaniçi, Fahrudin Radonçiçi... Para së gjithash ngjashmëritë në profilin dhe karakterin e të dyve, Fazlliçit dhe Mishkoviçit. Fazlliç është mjeshtër i mashtrimeve e nga sa dihet, kjo është pikërisht ajo që i duhet Mishkoviçit në Ballkan. Prandaj ai dërgon atë kriminel të vogël, që në emrin e tij t'i mbarojë punët më të ndyta korruptive prej Shqipërisë e deri në Bosnjë. Ai është njeriu që përdoret nga Radonçiçi dhe Mishkoviçi për punët e ndyta dhe do të jetë shumë interesant të shihet se në cilën anë do të rreshtohet, kur Mishkoviçi të vendosë të ‘lirohet’ nga Radonçiçi, siç ka vepruar me të gjithë partnerët e tjerë afaristë.”