Luk Kaçaj, vrasja e artistit nga miqtë dhe Sigurimi
Ishte dita kur duhet të festonte 47-vjetorin e lindjes. Por në vend që të frynte qirinjtë mbi tortë, iu desh të psherëtinte me dhembje e zhgënjim, kur lexonte dëshmitë e miqve dhe kolegëve të tij që e akuzonin për agjitacion e propagandë. Kjo është historia e trishtuar e Luk Kaçajt, një nga këngëtarët më të mëdhenj klasikë të Shqipërisë, që i ndjekur dhe survejuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, zhytet në ferrin e burgjeve komuniste. Parandjenja dhe profecia e Ismail Kadaresë për Kaçajn nuk do të realizohej, këngëtari i madh do të “vritej” nga ai mekanizëm mbytës që i merrte frymën artit, ish-Sigurimi i Shtetit, që e kishte ndjekur me vite të tëra, që kishte qëmtuar me kujdes helmin që hidhnin kolegët e tij për shkak të xhelozisë, smirës apo dhe thjesht konformizmit me pushtetin, do ta dërgonte atë në qeli.
“E kam admiruar gjithmonë Luk Kaçajn, që kur kam qenë student në Moskë. Ai ishte, jo vetëm një këngëtar i madh i Shqipërisë, por i kishte të gjitha shanset për t’u bërë një nga këngëtarët më të mëdhenj të Evropës”, - do të shkruante 35 vjet më pas Kadareja për të. Pa ditur më parë se regjimi do ta konsideronte armik Luk Kaçajn që nga mosha 10-vjeçare... sepse kishte ndjekur shkollën e françeskanëve në Shkodër.
Revista “Mapo” ka siguruar pjesë të tëra të dosjes që ish-Sigurimi i Shtetit kishte hapur për Kaçajn, si dhe ka në dispozicion një dosje të plotë të procesit të tij hetimor. Emra të shumtë, një pjesë e të cilëve mjaft të njohur në botën e artit, kanë firmosur aty, fatkeqësisht të rreshtuar në krahun e xhelatëve. Emrat e tyre nuk po publikohen të plotë, por me iniciale, diku në mënyrë të saktë dhe diku, inicialet do të jepen në mënyrë të përkundërt. Edhe ata, një pjesë të vdekur, një pjesë sot janë të moshuar; për të respektuar dhembjen e ndoshta pendimin e tyre, po i lemë të vetëm në këtë pendesë, në qoftë se ekziston.
Kjo është një histori e vjetër që “Mapo” vendosi ta botojë si një homazh për artistin e madh në prag të 83-vjetorit të lindjes së tij.
Dosja voluminoze nis me kërkesën e hetuesit të Ministrisë së Brendshme, Isa Halilaj, të datës 25 prill 1973, që kërkon arrestin e artistit. E akuzon për krimin e agjitacionit e propagandës, për minimin e dobësimin e pushtetit popullor. Katër ditë më pas, Kaçaj firmos këtë akuzë.
Aktakuza ndaj artistit është shkruar në gjuhën e zakontë të drunjtë të regjimit. Sot ajo ngjan si një krijesë e panatyrshme: “I pandehuri në kohë dhe në vende të ndryshme ka zhvilluar biseda armiqësore... të cilat shprehin edukimin e tij kundërrevolucionar, të filluar ndaj socializmit dhe komunizmit që në moshën 10-vjeçare në shkollën e françeskanëve, shprehin besnikërinë e tij ndaj këtij edukimi deri në ditën e arrestimit, për çrrënjosjen e të cilit, në psikologjinë e të pandehurit nuk ka ndikuar aspak kujdesi i partisë që i dha mundësinë të arrijë në lartësinë e Artistit të Popullit”.
Dëshmitarët
Kanë qenë shumë. Një pjesë e madhe të njohur. Shumica dërmuese e tyre gjithashtu artistë si ai. Një nga ta, Th. H., dëshmon fillimisht për Sigurimin e Shtetit e më pas, edhe në dosjen penale në ngarkim të Kaçajt, se artisti i ka thënë: “...këtu në Shqipëri nuk mund të bëhesh artist i madh, nuk ka kushte për të zhvilluar talentin, janë hequr nga repertori operat e huaja, nuk paguhemi sa duhet, jashtë shtetit artistët janë të lirë... (Dosja e Sigurimit, faqe 51 dhe 53).
Dëshmitari tjetër, B. J., dëshmon se ka dëgjuar nga Kaçaj që t’i thotë: “...në Shqipëri artistit nuk i plotësohen as nevojat më minimale që ia kërkon profesioni. Jashtë shtetit këto gjëra nuk diskutohen as për artistët e dorës së fundit...” (Dosja në faqet 55, 56).
Në faqet e mëpasme të dosjes përmenden dëshmitarë të tjerë, M. M., T. Gj., M. A., Ç. Zh., T. I., P. K., M. K., e të tjerë.
Por dhe më e ashpër bëhet më pas dëshmia e B. J., i cili pohon se Kaçaj i ka thënë: “Në Shqipëri ka diktaturë të ashpër. Këtu çdo njeri ka dosje dhe ndiqet. Këtu njerëzit detyrohen të spiunojnë nga frika, mbasi i marrin dhe i rrasin brenda. Këtu nuk ka burrni”.
Por spiunët e tij shkojnë dhe më tej dhe dosja ka të tjera gozhdë për kryqin që i përgatisin artistit: “Shtetet e Bashkuara janë një forcë e madhe ushtarake dhe Vietnami nuk mund t’u rezistojë dot...”.
Dhe që nga Vietnami e “risjellin” sërish në Shqipëri. “Gjergj Fishta është poet i madh, poeti më i madh shqiptar i para dhe pas çlirimit”.
Tre muaj pas arrestit, tre muaj në izolim, më 31 korrik 1973, hetuesi Fejzo Aloçi firmos akuzën përfundimtare.
Hetuesia e artistit
Ishte e gjatë dhe e lodhshme. Si zakonisht. Ashtu siç dinin ta bënin komunistët. Revista zbardh një nga seancat e pyetjeve, atë të datës 29 prill 1973, të tjerat vazhdojnë deri pak ditë përpara gjyqit.
Kaçaj thotë: “Unë e pranoj që kam zhvilluar veprimtari armiqësore kundër pushtetit duke folur në shumë drejtime dhe me shumë persona. Kam mbaruar në 1944 gjimnazin françeskan në Shkodër dhe të gjithë pedagogët e mi kanë qenë priftërinj. Drejtor i kësaj shkolle ishte Gjergj Fishta, i cili ishte dhe poet. Unë kam thënë se Fishta është poet i madh, bile poeti më i madh i Rilindjes sonë, bile më i madhi në Ballkan.
Një drejtim tjetër, për të cilin kam folur keq kundër pushtetit, është dhe gjendja ekonomike e vendit tonë. Kam komentuar disbalancimin mes çmimeve të larta të artikujve të ndryshëm në treg dhe pagave të ulëta... këtë gjendje ekonomike e kam krahasuar me atë të vendeve kapitaliste, të cilat i kam lavdëruar dhe kam thënë se aty ka një nivel të lartë jetese...”.
Kaçaj nuk mban rezerva. Ai është i qartë për atë që ka bërë dhe i bindur se ka vepruar drejt, pavarësisht se detyrohet të shprehë edhe pendesë. Ai nuk heziton t´i pohojë hetuesve të tij se: “Regjimi në Shqipëri mbahet me diktaturë dhe kjo diktaturë është për njerëzit një thundër e hekurt, më e rëndë se ajo për të cilën ka shkruar Xhek London në veprën e tij. Regjimi mbahet në këmbë me anë të forcës, sepse në të vërtetë... nga populli... ka sa të duash që nuk e duan këtë pushtet”... “...situatat nuk zhvillohen në drejtim të forcave marksiste leniniste, por në favor të imperializmit dhe revizionizmit. Kjo ka vlerë që Shqipëria, një vend i izoluar do të jetë keq, ... kam thënë se Shqipëria do të bllokohet... dhe gjendja do të shkojë gjithmonë e më keq...”
Gjyqi, dënimi
Filloi më 21 gusht 1973. E konsideron pa mëdyshje fajtor dhe e dënon me pesë vjet burg. Vendimi firmoset nga gjykatësja, Shegushe Hakani, dhe ndihmësit e saj, Afërdita Ikonomi dhe Albert Sotiri. Por nuk kishte mbaruar këtu. Pothuaj dy javë më pas, me një shkresë të konsideruar sekrete, Ministria e Brendshme i drejtohet Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Shkresa firmosej nga Feçor Shehu, atëherë zëvendësministër i Brendshëm. Thelbi i saj, ishte se “...masa e dënimit me pesë vjet burg që iu dha të pandehurit është e butë dhe nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së theksuar shoqërore që paraqet vepra e kryer dhe vetë i gjykuari”.
Megjithatë, Gjykata e Lartë, si në pak raste të tilla, vendos ndryshe. Ajo le të paktën në fuqi vendimin e gjykatës së Tiranës. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pastaj më pas, më 11 tetor, me firmë të Aranit Çelës, lë sërish në fuqi të njëjtin dënim, por kërkon dhe shtesën e dënimit plotësues për konfiskim të pasurisë së artistit.
Këtu mbyllet kalvari legal i shkatërrimit të një jete njerëzore, i shkatërrimit të një artisti, për të cilin, profecia e Kadaresë, admiruesit të tij, fatkeqësisht nuk do të realizohej: “...Luk Kaçaj...kishte të gjitha shanset për t´u bërë një nga këngëtarët më të mëdhenj të Evropës”. Atë e vrau sistemi komunist, po aq sa dhe smira e kolegëve të tij, një pjesë e të cilëve jetojnë ende në heshtje pendesën për pjesëmarrje në krim ndaj sivëllait të tyre të artit.
Nga parajsa e artit në ferrin komunist
Nga Ben Andoni
Ishte një legjendë e vërtetë në konservatorin e muzikës “Çajkovski” të Moskës. Shqiptari kolos nga malet e veriut që u quajt “Sheljapini shqiptar”. Kandidimi dhe fitorja në Balshoi Teatër në vitin 1955, aty ku mes 170 kandidatëve, Lukë Kaçaj, fitoi dhe u rreshtua mes katër më të mirëve…. Ofertat ndërkombëtare: dy herë në Pragë, një herë në Berlin dhe një herë në Varshavë. Avionët e posaçëm specialë, që do ta dërgonin në Londër, në Kovengarden Teater, në Vjenë, në Skala të Milanos në Itali, apo deri në “Metropolitan Teatër” në Amerikë… Dashuria për vendin, muzikën, Anën, të shoqen, dhe akuzat e tmerrshme që sollën arrestimin e tij…
Ka jetuar pothuaj mes dy botëve, qiellit dhe tokës, ferrit komunist dhe parajsës shpirtërore, skenave botërore dhe muzikës ngadhënjyese. Shumë herë pranë famës, lavdisë, suksesit. Shumë herë të tjera pranë përçmimit dhe injorancës së një sistemi totalitar shqiptar, ku mendjet intrigante dhe këngëtarucët e padenjë shisnin shpirtin për të rrëmbyer shkëlqimin e malësorit të madh, që tundte skenën me zërin e tij prej basi. (A thua do të gjejnë ndonjëherë falje për tragjedinë që i shkaktuan?)
Kudo ku shkeli figura e Lukë Kaçajt, e kolosit të muzikës skenike, në Pragë, Berlin, Poloni, Balshoi Teatër, në Moskën e pavdekshme që krenohej me zërat legjendarë të trashëgimisë operistike, kudo ku mbërriti, krijoi çudinë e legjendës, sepse ai ishte shqiptari i vendit të vogël, me aftësitë e jashtëzakonshme të talentit operistik dhe erudicionit të tij. Këndonte shkëlqyeshëm në katër gjuhë të huaja, italisht, gjermanisht, rusisht dhe frëngjisht. Njihte mrekullisht Homerin në gjuhën greke, mësuar në liceun françeskan “Ilirikum” në Shkodër, njohës shumë i mirë i latinishtes, adhuronte Gjergj Fishtën dhe Bogdanin. Epizmi dhe lirizmi fishtjan qëndronte njësh me zemrën e tij gjatë gjithë jetës skenike. Aty filloi të merrej me muzikën në sajë të punës me pasion të kompozitorit të parë shqiptar profesionist At Martin Gjokaj, autor i operës së parë shqiptare “Juda Makabe” në 1926, opera me vlera historike në historinë e muzikës dhe artit shqiptar. Vetë Kaçaj do të thoshte: “Mua më pëlqente shumë muzika, një cilësi që as unë s’e shpjegoja ndryshe, vetëm ia dedikoja instinktit, me po ato ndjesi që ka njeriu natyrshëm ndaj të ushqyerit, pa të cilin nuk jeton dot, kështu unë nuk ndjehesha jashtë këtij instinkti për muzikën”. Vazhdoi konservatorin “Çajkovski” në Moskë. I madhërishëm, fantastik, i padëgjuar në këtë kalibër të zërit dhe kthjelltësi të frazës së qartë muzikore. I papërballueshëm në interpretimin e aries nga Ivan Susanin, apo në “Figaron” e Moxartit, apo në Vendeta, apo më tej akoma në interpretimin e këngës shkodrane “Kenkan mbushur malet me dëborë”. Por prova e vërtetë dhe më e madhe ishte fitorja në Balshoi Teatër në vitin 1955, aty ku mes 170 kandidatëve fitoi dhe u rreshtua mes më të mirëve, aty ku krye-dirigjenti Pishajev u shpreh i tronditur: “Nuk kam dëgjuar një zë të tillë prej 50 vjetësh që merrem me muzikë”. Ai vetëm ngjitej, lartësohej, kalonte prova dhe sfida duke fituar dimensionin e artistit pa kufij. Kurse ata - mjeranët, të vegjlit dhe mendjeshkurtrit - thurnin rrjetën e merimangës për ta kapur në pëlhurën e hollë dhe të frikshme! Luka e ndjeu se fati i tij po merrte një drejtim të pakuptueshëm drejt ferrit. Për herë të parë ndoshta kuptoi se Dante Aligieri po i servirej bujar dhe madje edhe në gjuhën që ai e njihte mrekullisht mirë. Kokëunjur dhe në pritje të asaj që po ndodhte, shëtiste i vetëm në ditët e fundmajit. “Mos më takoni! Largohuni mejet! Jam në rreth”, - ishin disa nga fjalët që ai përpiqej t’u thoshte miqve të tij të kahershëm të Moskës. Arrestimi i tij publik në prani të studentëve dhe pedagogëve në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë ishte fundi i çmendurisë së propagandës dhe ideologjisë komuniste, arritja perfekte e mashtrimit dhe makinacionit komunist.
Është ndjerë i tradhtuar deri në asht nga njerëzit e vendit të tij, që e deshi kaq shumë, nga shokët dhe miqtë që kishte ndarë muzikën, notat dhe shpirtin. Pasuri tjetër nuk pati në jetë.. Regjimi ishte kokëfortë kërkonte të gjente arsyen e tradhtisë, arsyen e paarsyeshme të asgjësë me emrin e shpikur “Agjitacion e propagandë”.
“Atëherë me më kallzu të vërtetën, më thotë: Pse nuk ike? - më tha kryetari i hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më falni, zoti kryetar, i drejtohem kryehetuesit të Republikës, po kush nuk e do atdheun e vet, nuk i duhet askujt gjë në botë. Së dyti, atë që kam mësuar në shkollë, në Shqipëri e jashtë saj kam dashur t'ia kthej përsëri popullit tim. Se sa vlej e tek vlej as unë s'e di. Së treti, kurrë në jetën time paraja s'më ka korruptuar dhe nuk dua të di gjë për të. Edhe sot nuk kam ndryshuar mendim, ashtu jam. Nuk ia kam ditur vlerën dhe nuk dua t'ia di, derisa të vdes! Së katërti, kam patur nënë, baba, vëllezër e motra, njerëzit e mi më të dashur të shpirtit tim. Nuk kam jetuar me ta, por në zemër i kam patur dhe i kam. Të lumtë! Edhe një herë, të lumtë, më tha kryetari”.
Dhe vërtet, ai ishte muzikë pa kufij, lisi i madh që dashuronte jetën, mbështetur fort në dëshirën për të kënduar, adhurimin për Anën, bashkëshorten e tij, miken e vetme besnike, që në ferrin e tij ishte parajsa që e priste dhe i falte forcë, mbështetje dhe shumë dashuri. Kur i propozuan të mbetej në Poloni, në katin e tretë në hotel “Briston”, ai u tha duke qeshur: “Shtëpinë time e kam në kufi me ju. Po të dua vij, kur të më teket”. Ndërsa në Berlin, ofertës me çekun prej 50.000 markash të vitit 1955, Lukë Kaçaj iu përgjigj ftohtë dhe thatë: “Nichts verstehen” (Nuk kuptoj asgjë).
Zëri i tij ka mbetur i regjistruar edhe në arkivin e Balshoi Teatër. Nipi i tij, Salvador Kaçaj, ka prodhuar një CD me një pjesë të veprës së Kaçajt. “Në këtë mënyrë, ai vazhdon të jetojë me ne”, - thotë ai.