E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballkan, politika synon të kontrollojë mediat

Studimi

është në vetë natyrën e politikës tendenca për t’u përpjekur që të kontrollojë median, por, sidoqoftë, sfidë e gazetarisë është që t’u kundërvihet këtyre përpjekjeve për ta vënë në mengene. Por, si po e realizojnë rolin e tyre mediumet në demokracitë bashkëkohore të Ballkanit? Sikurse u vu në dukje edhe më lart, liria e shtypit përballet me përpjekjet për ta kufizuar atë kudo gjetkë në botë, por në Ballkan kjo prirje duket edhe më qartë, pra se ndaj mediumeve dhe pronarëve të tyre ushtrohet një presion i madh politik. “Politikanët i urrejnë gazetarët, por ana e bukur e kësaj lidhjeje të ndërsjellë është fakti se sa më shumë na urrejnë ata, aq më shumë na vlerësojnë”, thotë Joana Avadani, e Qendrës për Gazetarinë e Pavarur të Rumanisë, duke shtuar se “ne mund të publikojmë emrat e politikanëve që janë të pandershëm dhe që nuk sillen me ne me korrektësi. Ata kanë frikë nga ne, sepse ne u sjellim njerëzve fakte, sesi ata duhet të reagojnë ndaj këtyre politikanëve”. “Strategjia e qeverisë synon që t’i paraqesë të gjithë pronarët e mediumeve si të korruptuar dhe se ata e sulmojnë atë, vetëm për hir të interesave personale, por kjo tezë është e rrezikshme, sepse nuk mund të vihet shenja e barazimit mes pronarëve, të cilët, ç’është e vërteta, në Rumani janë figura kontraversale, dhe numrit të madh të gazetarëve që punojnë me ndershmëri, zell dhe profesionalisht”, shton ajo. Mediumet në Kroaci kanë arritur që të çlirohen nga kthetrat e politikës dhe të zgjedhin rolin e partnerit në varësinë e ndërsjellë”, konsideron Dragana Radushinoviç e botimit kroat “Forbs”, duke theksuar se mediumet e mëdha nuk varen më nga politika dhe se ata zhvillojnë një politikë, pak a shumë, të pavarur nga ajo.

Në Bullgari, fushën e informacionit e kontrollojnë pronarët e mediumeve që kanë lidhje të ngushta me politikën, konsideron Radostin Nejkov i institutit “Si Market Watch”. Ai thekson se “kapitali i huaj në mediume nuk e ka përmirësuar kush e di se çfarë gjendjen në fushën e informacionit. çdo politikan do që media të jetë në anën e tij që të ruajë reputacionin personal dhe të sigurojë mbështetjen për reformat e tij. Nga ana tjetër, mediumet, në një masë të madhe, varen nga reklamat, pra nga financimet e partive politike ose të bizneseve të lidhur me pushtetin. Këta procese janë të lidhur ngushtë, kështu që nuk ka hapësirë për pavarësi më të madhe”, thotë ai. Në Bosnjë e Hercegovinë, mediumet janë të varur nga burimet e financimit, thotë, nga ana e saj, Katerina Paniç e agjencisë së lajmeve “Srna”, e cila thekson se mjaft negativ është fakti se gazetarët janë të përçarë në këtë vend dhe, për këtë shkak, nuk mund t’u rezistojnë presioneve. “Për fat të keq, ne në Bosnjë kemi gjashtë shoqata të ndryshme gazetarësh. Për shkak të kësaj mungese uniteti dhe përçarjeje, ne nuk mund të sigurojmë as press-kartën më të zakonshme ndërkombëtare, kur udhëtojmë jashtë vendit dhe jo më të fitojmë ndonjë të drejtë tjetër”, thotë ajo. Në Malin e Zi është arritur një progres i caktuar në lirinë e informimit, por, sidoqoftë, mangësitë shihen me lehtësi edhe me sy të lirshëm. Ljubisha Pejoviç i “Antenës M” të Podgoricës si shembull sjell shërbimin publik. “Shërbimi publik duhet të jetë shërbim në favor të qytetarëve dhe jo shërbim në favor të shtetit, i cili te ne është krejt në raport të kundërt”, thotë ai. Sllobodan Petroviç i Radios së Beogradit vë në dukje se në Serbi, në këtë drejtim punët janë përmirësuar. “Mendoj se mediumet kanë arritur që të çlirohen nga politika, se politikanët kanë marrë një mësim të mirë nga koha e Sllobodan Millosheviçit, se sa të fuqishëm mund të bëhen mediumet që, në një masë të madhe, ndikuan në rrëzimin e Milosheviçit. Kur politikanët të mësohen që të mos i fusin hundët e tyre atje, ku nuk e kanë vendin, atëherë ata do të ngurrojnë ta bëjnë këtë”, thotë ai. Konsideratat e mësipërme për gjendjen e lirisë së medias në vendet e Ballkanit u shprehën në një seminar, të organizuar ditët e fundit nga fondacioni gjerman “Robert Bosh” me gazetarë të vendeve të Europës Juglindore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›