Gratë e dënuara, ekspozojnë "Pa kufij"
Dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u çel një ekspozitë me punimet artistike të të dënuarave me burgim në institucionin e ekzekutimeve të vendimeve penale "Ali Demi". Veprimtaria është titulluar "Pa kufij". Në këtë ekspozitë janë shfaqur rreth 50 punime në pikturë e të tjera në qëndistari. "Nëpërmjet punimeve artistike, këto të dënuara kalojnë të gjitha kufijtë që i ndajnë nga bota e lirë. Përmes artit ato shprehin dhe janë në gjendje të jetojnë gjithçka që dëshirojnë, njëlloj si të tjerët", tha Irena Çelës, drejtoreshë në IEVP. Për 6 muaj, këto gra kanë ndjekur një kurs pikture nën udhëheqjen e piktores Rivelina Temo. Ky kurs i zhvilluar në formën e një terapie arti, është realizuar në kuadër të aktiviteteve të projektit "Art në burg", të mundësuar nga shoqata "Përthyerje". Ky projekt, i cili është mbyllur me realizimin e këtij aktiviteti, kishte si qëllim parësor përmirësimin e jetës sociale të grave të dënuara. Çela, drejtoresha e IEVP-së "Ali Demi", e cilësoi ekspozitën e punimeve artistike të grave të dënuara si një program që ndihmon ato, që i lehtëson periudhën e kryerjes së dënimit, sikundër i ndihmon për riintegrimin në shoqëri, pasi të kenë përfunduar dënimin. Në këtë ekspozitë u ekspozuan mbi 50 punime në pikturë dhe disa dhjetëra punime të tjera artistike.